Maqedoni, mirëpriten nismat e Kryeministrit Berisha për unifikimin e ligave shqiptare të futbollit
Analistët: Nismat e Berishës do të afrojnë shqiptarët e tërë Ballkanit
Opinioni në Maqedoni ka mirëpritur nismat e kryeministrit shqiptar Sali Berisha për krijimin e një hapësire mediatike shqiptare në Ballkan, por edhe për unifikimin e ligave shqiptare të futbollit. Analistët shqiptar në Shkup, thonë se bëhet fjalë për nisma të qëlluara të cilat do të afrojnë shqiptarët e tërë Ballkanit.
Nismat e kryeministrit Berisha i ka përshëndetur edhe sektori civil shqiptar në Maqedoni. Lëvizja Qytetare ZGJOHU! konsideron që nisma për krijimin e një lige të përbashkët, bashkë me nismat tjera, asesi nuk duhet të anashkaloj shqiptarët e Maqedonisë, por edhe ata që jetojnë në shtetet tjera në Ballkan. ZGJOHU vlerëson se këto nisma janë në në frymën e afrimit sa më të madh të shqiptarëve mes veti dhe përmirësimit të padrejtësive historike. "Klubet Futbollistike Shkupi nga Shkupi, Shkëndija nga Tetova, Bashkimi nga Kumanova, Korabi nga Dibra dhe shumë të tjera, do të jepnin një kontribut të madh në ngritjen e cilësisë së ligës së klubeve shqiptare pasi që kanë edhe përvojë në kompeticionet vendore dhe evropiane. Ndërsa, sa i përket nismës për pajisje me pasaporta shqiptare për gjithë shqiptarët, që është në vijë me nismën e ZGJOHU! të para disa viteve, konsiderojmë që ky hap asesi nuk duhet të dëmton autoktoninë shqiptare në Maqedoni ku te drejtat e komunitetit varen nga numrat e përfaqësimit”, thuhet në komunikatën e lëvizjes Zgjohu. Njëkohësisht, ZGJOHU! propozon ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë me ç’rast, shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, do t’ju mundësohet e drejta e votës ne zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje proporcionale të përfaqësueve të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Çamërisë, në parlamentin e Shqipërisë.