Rama njeh vetëm institucionin e shpifjes - të shpjegojë origjinën e 100 milionë lekëve
Reagojnë Argita dhe Shkëlzen Berisha Argita Malltezi Berisha dhe Shkëlzen Berisha, fëmijët e kryeministrit i janë përgjigjur sërish akuzave të Partisë Socialiste, rreth pasurisë së tyre. Në një deklaratë të posaçme për mediat, thuhet se kreu i PS, Edi Rama vazhdon të shpifë dhe të akuzojë pa fakte, në vend që të përgjigjet mbi burimin e 100 milionë lekëve, shumë të cilën, bashkëshortja e kryesocialistit i ka marrë në formë dhurate. Në reagimin e tyre, Argita dhe Shkëlzen Berisha theksojnë se prej 7 vitesh, në zbatim të ligjit, ata kanë bërë deklaratat e tyre të pasurisë pranë institucioneve shtetërore, të cilat kanë verifikuar dhe kanë certifikuar korrektësinë e tyre në raport me ligjin dhe konfliktin e interesit. “Edi Rama zgjodhi përsëri të akuzojë pa fakte në vend që të përgjigjet. Zgjodhi të vazhdojë shpifjen në vend që të thotë të vërtetën. Në ndryshim nga bashkëshortja jote që është shqiptarja e vetme që merr dhurata në forme huaje pa interes prej 100 milionë lekësh, të thata në dorë dhe jashtë rrugëve bankare, ne çdo fitim tonin e kemi jo dhuratë, por nga puna jonë, jo të falur nga njerëz të njohur apo anonime, por të fituar nga puna me subjekte të licencuara. Ne ndryshim nga bashkëshortja jote z. Rama çdo qindarkë të fituar e kemi të xhiruar në rrugë bankare dhe të tatuar nga organet tatimore dhe të deklaruar në ILDKP, por problemi i juaj z. Rama është se ju njihni vetëm institucionin e shpifjes. Pyetjeve qe ju na drejtoni, i jemi përgjigjur në mënyrë konstante prej 7 vjetësh aty ku na e kërkon ligji, në ILDKP dhe është po ky institucion qe pasi ka verifikuar burimet e fitimeve tona ka lëshuar një deklaratë publike që certifikon korrektësinë e tyre në raport me ligjin dhe konfliktin e interesit. Për të gjitha shpifjet, zëdhënësi yt i paguar pengohet nga t’i për tu paraqitur para trupit gjykues”, thuhet në deklaratën e Argita dhe Shkëlzen Berisha. Njëkohësisht fëmijët e Kryeministrit i përsëritën sërish pyetjen kreut të PS-së se kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes së tij, 100 milionë lekë pa interes dhe ku ndodhen ato, pse nuk figurojnë në llogaritë bankare. “Së fundmi z. Rama po përsërisim për ju një pyetje që as ju dhe as bashkëshortja juaj nuk i jeni përgjigjur as në deklarimin tuaj në ILDKP dhe as për publikun. Kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes tuaj 100 milionë lekë pa interes? Si ka mundësi që këto para janë dhënë në dorë z. Rama dhe jo në rrugë bankare? Ku i mbani ju dhe bashkëshortja juaj këto para z. Rama përderisa ato nuk figurojnë në llogaritë tuaja bankare?”.
...