Maqedoni, në krye të Armatës një gjeneral shqiptar

Me urdhër të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi dhe gjeneralit të shtatmadhorisë së Armatës të Maqedonisë, Goranço Kotevski, të premten oficeri shqiptar, Muhamed Raçaj është emëruar gjeneral. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi në ceremoninë e organizuar në oborrin e Ministrisë, të pranishmëve iu drejtua në gjuhën shqipe, ku u zotua se do të angazhohet për një Armatë moderne e cila do të jetë garanci për paqen dhe stabilitetin dhe ndërtimin e mirëbesimit në vend.
“Do të bëjmë që të kemi një armatë moderne, të përkushtuar për paqe, një Armatë më afër qytetarëve, një Armatë profesionale, multietnike dhe të njohur ndërkombëtarisht. Do të punojmë që ndërkombëtarisht Maqedonia të marrë epitetin dhe të jetë e njohur si kontribuuese e paqes globale, në nivel të RM-së do të bëjmë që Armata të jetë garanci e paqes dhe stabilitetit në institucion me kredibilitet të lartë dhe model i ndërtimit të mirëbesimit. Gjithashtu një Armatë e cila do të japë kontributet e saj për Maqedoninë si anëtare në NATO, një Armatë e cila do të reflektojë përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët”, tha Fatmir Besimi, ministër i mbrojtjes.
Vetëm brenda këtij viti në kuadër të ARM janë avancuar 62 nga 109 oficerët shqiptarë si dhe mbi 100 në oficer. Sa i përket pozitave udhëheqëse në ARM po në këtë periudhë sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes janë avancuar në pozita gjithsej 39 shqiptarë dhe paralajmërojnë se deri në fund të vitit numri i tyre do të rritet edhe për 18 të tjerë.Në manifestimi i sotëm në të cilën ishte prezent edhe shefi i shtatmadhorisë Gorjanço Koteski nuk u anashkalua as rasti i fundit me përkuljen e ushtarëve të ARM-së në Sllupçan para dëshmorëve të UCK-së.
Në fjalimin e tij, Koteski tha se nuk do të lejojë askënd që të keqpërdor pjesëtarët e ARM-së për përfitime politike. “Si shef i Shtatmadhorisë nga të gjithë pjesëtarët e Armatës kërkoj mbështetje, profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi në punë. Kjo është më tepër se e nevojshme për realizimin e qëllimeve mbrojtëse. Ata të cilët nuk mund ti plotësojnë këto kriteriume dhe vlera morale, nuk e kanë vendin në radhët e Armatës. Nuk do të lejoj, thyerjen e shigjetave politike mbi kokat e pjesëtarëve të ARM-së, për interesa partiake”, tha Gorjanço Koteski, shef i Shtatmadhorisë së ARM-së.
Manifestimet për shënimin e 20 vjetorit të ARM-së vazhdojnë nesër me ceremoninë qendrore që do të mbahet në Kazermen Ilinden.