E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, nisi fushata zgjedhore, shqiptarët garojnë të ndarë

Në Maqedoni ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit, që pas mesnatës të së dielës. Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur kanë 20 ditë afat për të kryer fushatën tyre, në përpjekje për të bindur votuesit se programet reciproke janë më të saktat për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare të vendit. Nga partitë shqiptare, BDI-ja nisi fushatën në Shkup, PDSH-ja në Kondovë, ndërsa Demokracia e Re në Mateç të Kumanovës. Partitë shqiptare, të cilat në fillim dhanë shpresa se mund të krijonin një koalicion të madh shqiptar  për interesat e etnisë shqiptare në Maqedoni, garojnë veçmas. Fushata do të zgjasë deri në mesnatën e 3 qershorit. Komisioni Zgjedhor Shtetëror në Shkup ka konfirmuar 18 lista me kandidatë, të cilët do të marrin pjesë në garën për gjashtë njësitë elektorale. Do të ketë edhe tre njësi elektorale për shtetasit maqedonas, të cilët jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit do të monitorohet nga përfaqësuesit e OSBE si dhe vëzhguesit lokalë. Pak orë para fillimit të fushatës, partia kryesore opozitare, SDSM, ka protestuar jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup, duke u ankuar pse autoritetet vendore nuk i kishin lejuar ata që të mblidheshin brenda stadiumit të qytetit. LSDM ka vlerësuar se rreth 60 000 deri në 70 000 njerëz kanë marrë pjesë në këtë protestë. Lideri i LSDM-së, Unionit Social Demokrat, Branko Cërvenkovski, i ka bërë thirrje kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, nga VMRO-DPMNE, që të dalë në një duel televiziv për të diskutuar situatën e rënduar politike dhe ekonomike të vendit. Ne duhet të fitojmë sepse varfërimi i mëtejshëm i qytetarëve maqedonas duhet të marrë fund, tha Cërvenkovski. Koalicioni qeverisës Për Maqedoni më të mirë, drejtuar nga VMRO-DPMNE, mbajti tubimin e parë të fushatës të hënën në Ohër. Të drejtë vote kanë 1 821 122 qytetarë të Republikës së Maqedonisë të evidentuar në listën e vetme zgjedhore.

30 parti
politike kanë nënshkruar javën e kaluar Kodin e Sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare, pas apelit për sjellje korrekte zgjedhore nga SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›