E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, opozita shqiptare si “ujku e dhia”!

Ditën e hënë opozita maqedonase e përbërë prej 12 partive ishte bashkuar dhe kishte shpallur një front përballë partive politike në pushtet, të cilat i kryeson VMRO-DPMNE-ja me kryeministrin Nikolla Gruevski. Në një kohë kur kanë filluar lëvizjet te partitë maqedonase, partitë shqiptare ende sillen vërdallë, të çorientuara pa një koncept të qartë politik se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Analistët e pavarur konsiderojnë se opozita shqiptare, por edhe pozita, janë shumë të dobëta dhe nuk kanë ndonjë peshë të caktuar për ndikim në skenën e përgjithshme politike. “Koncepti për veprim partiak me aktivitete të konsoliduara, i mungon edhe partisë në pozitë, BDI-së, por edhe dy partive që janë në opozitë, DR-së dhe PDSH-së. Këto partitë e vogla që pretendojnë të mbeten në skenën politike, paraqiten vetëm në raste aksidentale, kurse nuk kanë një kontinuitet të veprimit”, tha fillimisht Nazmi Maliqi, analist i pavarur dhe ish-zëvendësministër i mbrojtjes së Maqedonisë. Sipas tij, për t’u krijuar një opozitë shqiptare dallon nga i veprimi i partive maqedonase. “Partitë maqedonase bëjnë luftë për ta marrë pushtetin, kurse ato shqiptare për të marrë një pjesë të pushtetit. Duhet të ekzistojë motivimi për të krijuar një opozitë brenda shqiptare, por duhet të krijohet një strategji edhe më e gjatë se ku duhet të shkojë organizimi politik në Maqedoni dhe në ndarjen e pushtetit”, tha Maliqi. Ai sqaron se VMRO-DPMNE, aktualisht është shumë e fortë dhe shumë ndikuese te maqedonasit. “Ky është momenti më i shkëlqyeshëm për me pasur një opozitë më të fortë shqiptare, kur kemi parasysh politikën që e ndërton kjo parti. Megjithatë, duket se shumë pak motivohet opozita shqiptare që të jetë më bindëse dhe më konkrete në veprimin politik, si në instancat e brendshme si me faktorin ndërkombëtar”, tha profesori universitar, Maliqi. Një tjetër arsye pse nuk mund të bëhen bashkë partitë opozitare, sipas publicistit Kim Mehmeti është se ata nuk kanë një koncept të përafërt politik. “Nuk mendoj se mund të bëhen bashkë partit opozitare shqiptare sepse asnjëra nuk ka një platformë të qartë politike dhe të përafërt e me njëra-tjetrën. Dikush ka federalizmin, dikush bashkëjetesën, multietnicitetin, të tjerët integrimin, etj”, tha Mehmeti. Në fund, analisti Nazmi Maliqi pohon se përkundër bashkimit të partive maqedonase, lufta do të jetë e vështirë. “Të njëjtën sëmundje po e vuan edhe opozita maqedonase. Nga ajo listë që iu kanë bashkuar LSDM-së është një variant jo shumë i fortë që mund të garojë me partinë në pushet”, tha Maliqi. Me konceptin e deritanishëm të veprimit të parive shqiptare, sipas Maliqit partitë shqiptare mendojnë se po veprojnë shqiptarisht, por realisht ata ujin e veprimit të tyre e çojnë te maqedonasit.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›