E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e ulëta “ngrijnë” veriun, rrugët e kalueshme

TIRANE-Temperaturat e ulëta dhe akujt kanë përfshirë pothuajse gjithë zonën veriore në vend ndërsa fshatrat e thella malore janë tërësisht të bllokuara nga trashësia e borës. Fatmiresisht akset rrugore kryesore jane te qarkullueshme, por me zinxhire. Në Pukë sot temperature ka shënuar plot -9 gradë Celsius kurse në Kukës -8 gradë Celsius. TVNews24 mëson se pas reshjeve të dendura të borës dhe temperaturave mjaft të ulta të ditëve të fundit, situata në rrethin e Kukësit ka nisur të përmirësohet. Veç rrugës së komunës së largët të Arrnit, që vazhdon të jetë e bllokuar, rrugët që të çojnë në të gjitha komunat e tjera janë të hapura. Ndërkohë ka ende disa fshatra të veçantë të komunave të thella që vazhdojnë të jenë të izoluar, pasi trashësia e borës arrin në mbi 40 centimetra. Ndërkohë të gjitha akset rrugore nacionale janë të zhbllokuara, ndërsa në vetëm pak segmente të tyre është e domosdoshme lëvizja me zinxhirë si në afërsi të Kalimashit e të Qafë Shllakut. Me zinxhirë kalohet Kukës-Peshkopi-Shishtavec. Në këto segmente edhe gjatë ditës së sotme po hidhet skorje e kripë për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve. E kalueshme me zinxhirë është aksi Qafë Mali-Fierzë, ndërsa po punohet për zhbllokimin e aksit në Iballë. Në zonën e Dibrës rezultojnë komunat e Lurës, Kala e Dodës. Sot mësohet gjithashtu se ka nisur mësimi në shkollën e mesme “Pjetër Budi” në Burrel që ishtë ndërprerë prej disa ditësh pas protestës së nxënësve që denoncuan se në ambientet e shkollës nuk kishte ngrohje. Ndërkohë akuj dhe borë ka patur orëve të para të mengjesit dhe në Tiranë dhe deri në Vlorë, ku teperatura ka qënë nën zero gradë Celsius. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›