E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina: Strategjia për Veriun pa Beogradin

Synimi është mirëqënia sociale dhe ekonomike për Veriun Strategjia për veriun e Kosovës, e hartuar nga qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare duhet të kalojë në një fazë konsultimesh me të gjithë faktorët relevantë, përfshirë këtu edhe autoritetet e Beogradit, thonë zyrtarë të Zyrës Civilë Ndërkombëtare në Prishtinë. Strategjia për veriun përfshin katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të  ligjit, reformimi i pushtetit lokal, që përfshin krijimin e komunës me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, instalimi i qeverisjes lokale edhe në tri komunat tjera veriore  të Kosovës, Leposaviç, Zvecan dhe Zubin Potok, si dhe përmirësimi i gjendjes sociale dhe ekonomike me investime të veçanta. Zyrtarë nga Zyra Civile Ndërkombëtare i thanë DË-së, se me planin  e tyre për Veriun ata dëshirojnë që në këtë pjesë të vendoset rendi dhe ligji.”Ne dëshirojmë që në Veri të Kosovës të ketë mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik. Ne dëshirojmë që të krijojmë komunën veriore të Mitrovicës, e cila do të ketë kompetenca për komunitetin që jeton aty. Në këtë linjë, ne dëshirojmë që të ecim përpara dhe të  konsultohemi edhe me Beogradin, në mënyrë që strategjia për Veriun të ketë sukses", shprehen në një deklaratë të shkruar për programin e DW, zyrtarë nga  Zyra Civile Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Peter Faith.Qeveria e Kosovës kërkon ta implentojë strategjinë pa BeogradinQeveria e Kosovës,  e cila është bashkëhartuese e strategjisë për veriun e Kosovës nuk e kundërshton prerazi idenë që Zyra Civile Ndërkombëtare të konsultohet me Beogradin për këtë strategji. Mirëpo zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, i thotë DW-së se implementuese të kësaj strategjie duhet të jenë vetëm institucionet e Kosovës.“Qasja jonë në Veri është pozitive, nuk është kundër askujt, por në radhë të parë është  për të mirën e popullatës lokale në atë pjesë. Por gjithsesi ne do ta ruajmë tërësinë teritoriale, sovranitetin tonë dhe Beogradi nuk do të ketë mandat, as vendosës e as veto mbi zhvillimet që ndodhin në territorin e Kosovës”, thotë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi.Beogradi zyrtar përkrah strukturat paralele serbe në Kosovë  dhe në mbështetje të tyre tashmë ka ndarë një buxhet që kap shumën e miliona eurove. Ndërkohë, strategjia për Veriun parashikon shuarjen e këtyre strukturave.  Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi përjashton çdo mundësi të futjes në biseda të drejpërdrejta me Beogradin  për shuarjen e strukturave paralele serbe, që ekzistojnë në veri të Kosovës. Ai thotë se Beogradi vetëm mund të interesohet për serbët e Kosovës dhe këtë interesim mund ta shfaqë në raporte të mira fqinjësore me Kosovën.“Ne nuk mendojmë për biseda të tilla, për organizime të tilla, por Beogradi mund të interesohet për pakicën serbe, si mund te kenë interesim edhe shtetet e tjera fiqnjë, si Maqedonia, Mali i Zi për pakicat  e tyre dhe interesimin që mund ta ketë Kosova për shqiptarët në vendet fqinjë, por gjithmonë duke ruajtur tërësinë teritoriale dhe të drejtën për të qeverisur si shtete sovrane”, thotë Hajredin Kuçi.Analistët kërkojnë edhe angazhimin e KFOR-it në VeriNdërkohë, analisiti i pavarur Driton Lajçi thotë për programin e DW  se konsultimet me autoritetet e Beogradit janë të domosdoshme, sepse për këtë ka mandat Zyra Civile Ndërkombëtare. Por e rëndësishme sipas tij është se si të implementohet strategjia për Veriun.“Meqenëse pika thelbësore është çështja e sigurisë, atëherë në këtë mes duhet të përfshihen edhe forcat paqeruajtëse, sepse ato duhet të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët në Veri të Mitrovicës, pavarësisht përkatësisë entike. Kjo sepse strategjia për Veriun nuk është strategji as pro shqiptare e as pro serbe, por një strategji e bazuar në kriteret për një jetë cilësore dhe perspektivë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thotë Driton Lajçi.Strategjia për Veriun e Kosovës do të diskutohet edhe në Grupin Ndërkombëtar për Kosovën, që më datën 8 do të mblidhet në Vjenë të Austrisë. Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në strategjinë  e tyre  planifikojnë që në pranverë të zhvillojnë zgjedhje lokale në Veri të Kosovës, ndërsa, në fokus do të jetë organizimi i zgjedhjeve për komunën e re serbe  në veri të Mitrovicës. Zyra Civile Ndërkombëtare tashmë  po punon për krijimin e grupit përgatitor për komunën veriore të Mitrovicës dhe sapo të kompletohet ky grup mund të shpallet data e zgjedhjeve. Përfaqësues nga Zyra Civile Ndërkombëtare thonë se në radhët e komunitetit serb në veri të Mitrovicës ka interesim për t'u përfshirë në ekipin përgatitor për krijimin e komunës dhe ata shpresojnë që në një fazë jo të vonshme ta marrin edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar. /dw/                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›