Maqedoni, përplasje për gjuhën shqipe
Parlamenti maqedonas shkel Marrëveshjen e Ohrit për përdorimin e gjuhës shqipe në seanca plenare
Përdorimi i gjuhës shqipe në Kuvendin e Maqedonisë nuk ka kurrfarë efekti, sepse fjalimet e deputetëve shqiptarë qytetarët mund t’i përcjellin vetëm me përkthim maqedonisht në kanalin kuvendor. Këto ishin vërejtjet e deputetëve opozitar shqiptar në mbledhjen e këshillit të kanalit kuvendor, që transmeton seancat e Kuvendit. Deputeti i PDSH-së Ziadin Sela doli me disa propozime për tejkalimin e këtij problemi, duke u kërcënuar se PDSH do të bllokojë punën e Kuvendit nëse nuk gjendet zgjidhje e shpejtë për këtë problem.
“Ju mund të bëni edhe grup pune, mund të bëni çfarë të doni, por ne do të vazhdojmë të protestojmë derisa sinjali në dual një të shkoj në shqip. Dhe derisa kjo çështje nuk zgjidhet, jo grup, por mund të formoni nuk e di se çfarë tjetër ne do ta vazhdojmë këtë rrugë dhe akoma më keq. Do vijë dita do dal në foltore dhe nuk lëviz nga foltorja, do e bllokoj punën e parlamentit, çka e kam të drejtë”- u shpreh ai.
Paralajmërimet e deputetit Sela ishin reagim ndaj deputetit të BDI-së në pushtet Talat Xhaferri, i cili u mundua ta relativizojë këtë problem, duke e vlerësuar si teknik e jo politik.
“Unë besoj që problemi më tepër është teknik se sa politikë. Ideja, mendimi im është që për të dal prej kësaj në bazë të nenit 7 të rregullores për punën e këtij komisioni të përcaktohet një grup pune i cili edhe teknikisht edhe politikisht po deshëm të mundet të bëjë përcjelljen edhe të normave ligjore ku janë defektet ligjore edhe të normave teknike dhe prej asaj pune të del një propozim konkluzë për komisionin”.
Deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri pati ankesa jo vetëm ndaj pamundësisë për transmetim të fjalimeve në gjuhën shqipe, por edhe ndaj cilësisë së përkthimit në kanalin kuvendor.
“Është e vërtetë se jo vetëm që nuk mund të përcillet as diskutimi, nuk mund të përcillet as përkthimi si duhet, ne kemi shumë lëshime në përkthim, ajo është një punë shumë e rëndë për përkthyesit dhe është vështirë që ata të mbërrijnë dhe të përkthejnë çdo mesazh të cilin deputeti e jep gjatë diskutimit, mos flasim për sferën e përcjelljes së gjendjes emocionale”
Fjalimet e deputeteve shqiptarë transmetoheshin në gjuhën shqipe deri në vitin 2008, mirëpo kjo u pamundësua me ndryshimet e atëhershme të rregullores. Opozita propozoi edhe disa konkluzione për zgjidhjen e situatës, mirëpo ato nuk u pranuan dhe seanca përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.