Maqedoni,Jankullovska lavdëron "Alfat"

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska në konferencën e fundvitit me gazetarët deklaroi se viti 2008 ka qenë kryesisht një vit i suksesit të këtij dikasteri në shumë aspekte. Ajo theksoi se Komisioni Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka njohur përparimin e bërë në procesin e reformave në Ministrinë e Punëve të Brendshme. "MPB ka arritur që të zbulojë 1197 vepra penale të fushës së krimit të organizuar dhe atij ekonomik, me ç'rast janë arrestuar 1825 persona. Nga kjo buxheti i Maqedonisë ka pësuar humbje prej mbi 100 milion euro. Kemi bërë luftë joselektive pa marrë parasysh bazën etnike apo partiake dhe pozitave shtetërore", theksoi ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska. Ajo përmendi se kurorëzimi i luftës kundër krimit të organizuar është bërë me operacionin "Hiri" në Kumanovë , që sipas saj janë arrestuar 47 persona të përfshirë në krimin e organizuar të duhanit. Ministrja Jankullovska deklaroi se aksionet lidhur me këtë operacion ende vazhdojnë dhe se po kryhen hetime të tjera të hollësishme. Sipas saj, gjatë këtij viti janë ndërprerë disa kanale të kontrabandës me drogë, me ç'rast janë konfiskuar qindra kilogramë lëndë narkotike, ndërsa janë regjistruar 317 raste të tregtisë së paligjshme me drogë. Në raportin për vitin 2008 theksohet se janë arritur rezultate të suksesshme edhe në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, parandalimin e prostitucionit, krimit ekonomik, janë ndërmarrë masa për parandalimin e dhunës në familje. Shefja e policisë ka shprehur mirënjohje dhe lavdërata për pjestarët e njësisë së posaçme mobile policore "Alfa" sipas së cilës ata kanë arrestuar 4.107 persona, prej të cilëve 1469 kërkoheshin me anë të fletëarresteve. "Numri më i madh i personave të arrestuar janë nga Shkup, edhe ate 3376, më pas në Kumanovë 528, në Tetovë 131 veta dhe në Gostivar 72 veta", theksoi ministrja e brendshme Gordana Jankullovska. Ajo nënvizoi se gjendja e sigurisë ka qenë nën kontroll të plotë dhe në kohë të duhur janë eliminuar të gjitha kërcënimet edhe për kundër zhvillimeve të tensionuara në rajon. Ministrja Jankullovska ka përmendur edhe vrasjen e dy policëve, Zoran Markovski dhe së fundi të pjestarit të njësitit "Alfa", Afrim Arifi, për të cilat raste ajo theksoi se janë ngritur padi penale ndaj 8 personave, dhe po punohet për ndriçimin e plotë të rasteve. Në raport përmenden edhe masat e ndërmarra ndaj punonjësve të policisë, ku raportohet për ngritjen e padive dhe suspendimin e një numri të madh të policëve dhe drejtuesve të këtij dikasteri.