E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia, Belgjika e Ballkanit

Mes vëzhguesve të Ballkanit qarkullon një ide që është në modë: “Belgjianizimi”. Kjo nuk nënkupton federalizim të ndërlikuar. Ajo synon të sugjerojë se kombësitë e ndryshme që historia i ka lënë të ndajnë të njëjtin shtet po sillen më në fund si belgët, po drejtohen nga kutitë e votimit dhe gjykatat, në vend të bombave dhe pushkëve.

Zgjedhjet elektorale maqedonase të 1 qershorit u kritikuan nga vëzhguesit, se nuk përmbushën standarded ndërkombëtare. Një person vdiq në një përplasje me policinë, disa të tjerë u plagosën, dhe shumë parregullsi u raportuan në disa qendra votimi. Megjithatë, kjo nuk e hedh poshtë teorinë belge.

Një e katërta e popullsisë së Maqedonisë 2-milionëshe janë shqiptarë etnikë. Në 2001, ata shkuan shumë pranë luftës civile. Tani, megjithëse mes palëve nuk ka ndonjë dashuri të madhe, mes tyre nuk ka dhunë. Problemet e ditës së zgjedhjeve dhe raportet për frikësim votuesish ishin tërësisht në zonat shqiptare. Kjo nuk është gjë e mirë, por mund të kishte shkuar edhe më keq.

Zgjedhjet e Maqedonisë u shpallën pas Samitit të NATO-s në prill, në Bukuresht, kur Greqia bllokoi ftesën e saj për anëtarësim së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë. Që me pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1991, Greqia është përpjekur ta ndalojë të thirret me emrin e saj, duke këmbëngulur se kjo nënkupton pretendime territoriale ndaj Maqedonisë greke. Kjo është arsyeja, pse Maqedonia përdor emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në shumicën e veprimtarive ndërkombëtare.

Kohët e fundit, çështja e emrit, e cila ishte lënë në sirtar, u ngrit përsëri. Aeroporti i Shkupit u emërtua “Aleksandri i Madh”, një nga arsyet kryesore pse grekët bllokuan ftesën e Maqedonisë për në NATO. Grekët tani thonë se ata do të ndalojnë gjithashtu çdo lëvizje drejt anëtarësimit në BE. Maqedonia është kandidat zyrtar i BE, por nuk i është dhënë data për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Nëse hyn në Maqedoni nga Kosova, e kupton qartë pse kjo çështje ka nevojë të zgjidhet. Nga kufiri deri te lumi Vardar, i cili kalon mes Shkupit, të gjithë posterat janë nga partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të gjithë flamujt janë shqiptarë. Kalo lumin dhe mund të ndodhesh në tjetër vend. Të gjithë posterat janë nga partitë maqedonase dhe flamujt janë maqedonas. Pasi të zgjidhet çështja e emrit, Maqedonia mundet të anëtarësohet në NATO e pastaj në BE. Atëherë askush nuk do ta vërë në diskutim të drejtën e saj shtetërore.

“Në qoftë se emri do të vazhdojë të helmojë rajonin, - thotë Veton Latifi, politolog nga qyteti kryesor shqiptar, Tetova, - politikanët do të planifikojnë “axhenda të reja” për vendin. Me këtë ai e ka fjalën për axhendat e vjetra: Shqipërinë e Madhe ose njKosovën e Madhe dhe kush e di ç’do të bëhet me pjesën tjetër të vendit. Megjithatë, zgjedhjet lanë vend për shpresë. Nikola Gruevski, kryeministër dhe kryetar i partisë së qendrës së djathtë në pushtet, rrezikoi me zgjedhjet e parakohshme dhe fitoi. Koalicioni i kryesuar nga partia e tij fitoi mazhorancë absolute në parlament. “Megjithëse ai ka nevojë për një nga partitë shqiptare për mbështetje, ai “nuk mund të mbahet peng” siç ka ndodhur në të shkuarën, nga aleatët e tij shqiptarë apo dikush tjetër”, - thotë Ana Petruseva, asistentredaktore e “Ballkan Insajt”, një website.

Tri pyetje ngrihen: Cilën nga dy partitë shqiptare do të ftojë Gruevski në qeveri? A do të jetë ai aq i fuqishëm, sa të merret vesh me Greqinë në lidhje me emrin dhe ta çojë çështjen në një referendum? Dhe më e madhja e tyre: A është Greqia e interesuar për një marrëveshje apo është e kënaqur që kompanitë e saj të investojnë me përfitime të majme në fqinjin e saj verior, ndërkohë që e mban atë të varur nga vullneti i Greqisë për anëtarësimin në NATO dhe BE? Tek e fundit, vetëm anëtarësimi në BE (dhe në Eurozonë) e mban sot të bashkuar Belgjikën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›