E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidhen në pyllin e Sodës 2.5 tonë pije

VLORE – Pak ditë pas fillimit të kontrolleve në masë nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë, 2,5 tonë pije të skaduara u gjetën të hedhura në pyllin e Sodës. 

Duket se frika e kapjes nga inspektorët e shëndetësisë ka bërë pronarët e këtyre pijeve t’i flakin ato, duke rrezikuar në të njëjtën kohë, rifutjen e tyre në treg nga persona të papërgjegjshëm. Pijet, të cilat ishin hedhur në një kanal në brendësi të pyllit janë pikasur nga rojet e pyjores, të cilët kanë lajmëruar menjëherë Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe më pas edhe bashkinë e qytetit. Pas lajmërimit, në vend kanë mbërritur përfaqësues të bashkisë, ekipet e higjienës nga Drejtoria e Bujqësisë, Ushqimit dhe mbrojtjes së Konsumatorit dhe DSHP. Mësohet se në përbërje të këtyre pijeve alkoolike kishte edhe lëngje frutash. Sipas specialistëve pijeve të gjetura u kishte kaluar data e skadencës disa muaj më parë, por në to ka pasur edhe pije jo të skaduara. Drejtuesit e shëndetësisë dhe të higjienës e kanë cilësuar si të paprecedentë këtë rast, duke marrë parasysh edhe faktin që, dje ka qenë edhe Dita Botërore e Mjedisit. Kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Bashkinë e Vlorës, Eriton Kollozi, tha se: “Eshtë skandaloz dhe i paprecedentë fakti që, sasi të tilla pijesh, një pjesë e të cilëve brenda afatit të kadencës, të hidhen në një vend të tillë, që është edhe i paautorizuar”. Ai ka pohuar se një version i parë i shkakut të hedhjes së këtyre pijeve në pyll, mund të jetë defekt në procesin e prodhimit të tyre. Nga ana tjetër, inspektori i higjienës pranë DSHP-së, Hasan Cufaj, tha se sasitë e pijeve do të merren me cilësinë e provës. “Ato do t’ju nënshtrohen analizave. Gjithashtu, do të kontrollohen të gjitha subjektet që prodhojnë markat në fjalë, për të arritur tek personat që kanë kryer hedhjen e tyre në këtë vend, i cili nuk është ai i përcaktuar nga Bashkia e Vlorës për hedhjen e mbeturinave”, ka pohuar Cufaj. Mësohet se pas verifikimeve të nevojshme janë marrë masa për largimin e tyre nga pylli. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›