Qëllohet pas grindjes i riu, kërkohen dy autorë
TROPOJE – Qëllohet me armë 20-vjeçari nga Tropoja. Një përplasje e ndodhur mes tre personave pasditen e djeshme la të plagosur të riun nga fshati Cërnicë, Ndriçim Ndrepepa. Sipas policisë, ai është qëlluar me kallashnikov, duke mbetur i lënduar rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, i plagosuri u transportua në spitalin e Tropojës, por për shkak të plagës së shkaktuar u nis me urgjencë për në spitalin e Gjakovës për mjekim më të specializuar. Policia e qytetit ka mbërritur në vendngjarje për të hetuar mbi rrethanat e ngjarjes. Nga të dhënat e para ka qenë një grindje e nisur në lokal mes të plagosurit dhe dy djemve të tjerë, banorë të fshatrave fqinj, të cilët janë në kërkim nga policia. Ndonëse nuk është përcaktuar motivi i plagosjes së djeshme, sipas të dhënave të policisë së Tropojës, Ndrepepa është i njohur si kontingjent për vepra penale të vjedhjes apo mashtrimit. Po punohet për të mësuar nëse ndonjë konflikt për këto shkaqe ka provokuar grindjen apo ka qenë një sherr i çastit në lokal.