E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vandalizëm demokratik?!...

Martin Leka 

Votoi dje KQZ-ja kërkesën  e Komisionit nismëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. Sipas atyre që dëgjuam dje nga anëtarët e këtij komisioni (KQZ), arsyeja e këtij votimi kundër dhe rrëzimi i kërkesës (e përsërisim, me votim), është “mosqenia e kësaj kërkese në juridiksionin e KQZ”?!.... Gjëja e parë që të vjen në mendje është pyetja për cilindo: Po atëherë, pse votoi KQZ përderisa  kjo kërkesë nuk qenka në juridiksionin e saj? Ose më tej, pse u mblodh për një kërkesë që nuk është në juridiksionin e saj? Që KQZ është politike, (jo e pavarur), kjo dihet. Po të kemi parasysh debatet e mëdha mes forcave politike e institucioneve lidhur me këtë institucion, afërmendsh ky institucion nuk i shpëton dot gjykimit të tij si politik. E ritheksojmë edhe njëherë dhe gjithkush mbetet i habitur nga fakti se në çfarë pozicioni absurd e ka vënë veten ky komision (me tutor politikën e PS-PD-së), kur ndërsa justifikon vendimin me qenien e tij jashtë juridiksionit për shqyrtimin e një kërkese të tillë, e voton atë?! KQZ-ja është një organ administrativ, ai nuk duhet të bëjë interpretim nëse duhet bërë apo jo Referendumi, ai thjeshtë duhet të japë formularin. Vendimi nëse duhet organizuar ky Referendum mund të merret vetëm pasi të jenë mbledhur mbi 50 mijë firmat. E thënë më shqip, kjo është njësoj si të shkosh në një ambasadë, të kërkosh formularin dhe punonjësit nuk ta japin atë, sepse s’e kanë ndërmend të të japin vizë?!...
Duket qartë pra se tensioni që ka mbërthyer dy partitë e mëdha, pikërisht ato që deformuan Aktin Themeltar të Shtetit, PD dhe PS, lidershipet e tyre, ka prekur seriozisht edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Loja e fjalëve me nenet e Kushtetutës, analiza e tyre sipas orekseve dhe interesave të politikës që përfaqësojnë, ka bërë që anëtarët e KQZ, me ndonjë përjashtim, të na shfaqin qartë dhe hapur mjerimin e institucioneve demokratike dhe të na tregojnë se jo vetëm tranzicioni demokratik nuk ka përfunduar, por në të kundërt, po bëhen hapa pas. Se ku janë katandisur institucionet tona demokratike, mjafton t’i hedhësh një sy aktualitetit politik dhe nuk është e vështirë të vësh re në këtë panoramë ngjyrën gri të tyre. Kryetarja e Parlamentit, me një protagonizëm si prej “modeleje” mediokër që ka zili shoqet e sfilatës, akuzon badihava Prokuroren e Përgjithshme se kjo i paska fshehur Kuvendit dokumente; po kjo zonjë i bën karshillëk Presidentit të Republikës me dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe për rrjedhojë, i çon për “verifikim”; Kryeministri në përpjekje për të sulmuar Presidentin lidhur me dekretet, kërcënon grupin parlamentar me zgjedhje nëse nuk i binden vullnetit të tij. Por se sa të “rëndësishëm” janë këta që na udhëheqin, u duk në kthesën 180 gradë që pësoi personaliteti i Topallit. U desh një takim i ambasadorit amerikan me Kryeprokuroren e Republikës që kjo të deklaronte të kundërtën e asaj që tha një ditë më parë lidhur me imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes.
Por ajo që është më shqetësuese dhe seriozisht e tillë, është konflikti i madh dhe një distancë që po krijon klasa politike (një pjesë e saj) me popullin e vet. Për fat të keq, në këtë vandalizëm demokratik janë bërë pjesë partitë që drejtohen jo fort demokratikisht nga Berisha dhe Rama. Ndryshimet kushtetuese që ndodhën në befasi të plotë me konsensusin dhe marrëveshjen e palëve natën e 21 Prillit, kanë bërë deformimin më të rrezikshëm që mund t’i bëhet demokracisë. Sigurisht, sot ndoshta nuk ndihet në mënyrë kaq të prekshme, por me siguri, shumë shpejt, edhe vetë ata që votuan, “do t’i bien murit me kokë” për atë që shkaktuan.
Ajo që duhet të shqetësojë klasën politike (politikanët e përgjegjshëm) por edhe opinionin e gjerë është mosbindja e një pjese të klasës politike ndaj vullnetit të popullit. Ajo që ndodhi dje me KQZ-në (ç’le macja i hanë minjtë) me refuzimin e formularëve për Referendumin është alarmi për refuzimin e demokracisë në vend.
Në të gjitha sondazhet, pyetësori nëse qytetarët kërkojnë ta zgjedhin Presidentin vetë apo me përfaqësimin e deputetëve, ka marrë përgjigjen e parë, qytetarët masivisht kërkojnë ta zgjedhin vetë Kreun e Shtetit. Po ashtu, një elitë politike dhe intelektuale, është shprehur për zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe kundër ndryshimeve të fundit kushtetuese. Të gjithë presidentët e vendit që nga fillimi i viteve ’90, janë shprehur në këtë linjë logjike. Madje, edhe vetë lideri i socialistëve, është shprehur dikur për këtë mënyrë zgjedhjeje të Presidentit të vendit.
Ajo që ende nuk kuptohet qartë dhe që të bën të lindin dyshime është fakti i perceptuar se përse një pjesë e klasës politike nuk beson apo e ka frikë votën popullore?!
Megjithatë, ka ende kohë dhe besim për institucione gjakftohta që mund t’i japin qytetarit të drejtën e shprehjes masive lidhur me ligjin për ndryshimet e fundit të Kushtetutës. Ndoshta edhe Berisha e Rama, nuk duhet të presin daljen e ambasadorit që të mund të ndryshojnë 180 gradë kurs… Siç bëri Jozefina një ditë më parë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›