E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, Shkupi hesht, Nimic udheton drejt Athines

TIRANE- Autoritetet në Maqedoni nuk kanë reaguar pas deklaratave të dhëna nga ndërmjetësi i OKB-së rreth çështjes së emrit , Metju Nimic se pjesët e zgjidhjes dihen, por ende nuk dihet se si do të paketohet ajo.

Ndërmjetësi Nimic është nisur për në Athinë ku të premten do të zhvillojë takime me zyrtarët grekë.

Pas takimeve në Shkup, z. Nimic dha sinjale se procesi edhe mund të ç’bllokohej. Ai tha se kjo çështje duhej të zgjidhej shpejt dhe sipas tij ka ardhur momenti për një gjë të tillë: “Mendoj se pjesët e zgjidhjes janë të ditura mirë, por si do të paketohet zgjidhja ende nuk dihet”, tha z. Nimic.

Ai tha se ka bërë disa sugjerime për emër kompromisi, nga propozimet që kanë qenë më parë në tavolinë.

Z. Nimic i cilësoi takimet si “konstruktive dhe shumë serioze”. Madje tha se kishte vënë re dhe “dëshirë të fuqishme” që kjo çështje të zgjidhej sa më parë.

Për z. Nimic çështja më e rëndësishme është emri i shtetit, dhe jo ato të identitetit që kanë dalë për shqyrtim:

“çështja kryesore është ajo e emrit të shtetit. çështjet e tjera kanë dalë, por ato i shoh si çështje të cilat mund të zgjidhen në mënyrë suplementare pas çështjes së emrit”, tha z. Nimic

Cfarë dinamike do të marrë procesi i zgjidhjes së çështjes së emrit do të dihet pas takimeve në Athinë.

Maqedonia ka mbetur në vend në integrimet euroatlantike për shkak të kundërshtimit grek. Diplomatët thonë se zgjidhja duhet të vijë shpejt që vendi të vazhdojë rrugën e integrimeve.

Greqia insiston në ndryshimin e emrit të Maqedonisë, të cilit do të duhet t'i bashkangjitet një referim gjeografik dhe i cili, sipas qëndrimit grek, do të përdorej në të gjitha nivelet. Pas vizitës dy ditore në Maqedoni, Nimic do të udhëtojë drejt Athinës.
(s.g/bbc/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›