E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi islamofobine e Mirela Bogdanit

Deklarimet e Mirela Bogdanit në emisionin “Deja Vu” ishin tepër ofenduesëe për ata shqiptarë që e ndjejnë veten myslimanë ose atyre që nuk besojnë se të qenit mysliman përbën ndonjë krim. Sikur Mirela të ishte një person dosido besoj se shumica e myslimanëve, indinjatën e tyre me ofendimet dhe gjuhën raciste që u shfaq në atë emision do ta përkthenin me ndonjë telefonatë ankese ndaj redaksisë së televizionit Top Channel, me ndonjë artikull në gazetë apo në internet... Megjithatë duke qenë se Mirela Bogdani gjatë këtyre muajve të fundit është shfaqur nëpër mediat e Shqipërisë si kandidate për deputete për Partinë Konservatore në Britaninë e Madhe, një numër intelektualësh myslimanë shqiptarë, mbështetën fuqishëm iniciativën e ndërmarrë nga Forumi Mysliman i Shqipërisë, i cili vendosi ti ankohet autoriteteve britanike për madamën që thoshte se ishte përfaqësuesja e tyre në Tiranë. Britanikët nuk janë si Top Channel dhe Mustafa Nano, ata dëgjojnë dhe reagojnë në mënyrë të kulturuar.
Forumi Mysliman i Shqipërisë i dërgoi një letër Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, ku i rrëfente xhentëlmenëve britanikë se kohët e fundit në Tiranë ka zbarkuar një zonjë e cila pretendon nëpër media se përfaqëson ata. Për më tepër në emisionin ‘Deja Vu’ të Top Channel, znj. Bogdani kishte deklaruar se “islamizimi është rrezik për Evropën”, se “një pjesë veriore e Londrës tani njihet si Londonistan, sepse po të shkosh atje të duket vetja si në Middle East”, se “mua më vrasin sytë kur shikoj në mes të Londrës njerëz me ferexhe” dhe se Turqisë duhej ti refuzohej hyrja për në BE meqë shtetasit e saj janë myslimanë. Në letrën që Forumi Mysliman i dërgonte Konservatorëve Britanikë, i shprehte “respekt të thellë për Britaninë e Madhe si një kështjellë e demokracisë parlamentare, për instalimin e së cilës, një rol historik ka luajtur edhe Partia Konservatore, si një parti e madhe historike me kontribute fondamentale në politikën e këtij vendi të madh evropian. Ky respekt i yni përforcohet edhe nga qëndrimi dashamirës dhe plot respekt i politikës tuaj ndaj myslimanëve dhe institucioneve të tyre në Britaninë e Madhe.”

Iniciativa e Forumit Mysliman u përkrah nga disa qindra myslimanë virtualë të cilët nëpërmjet telefonatave, letrave personale dhe në emër shoqatash, e-mail-eve, peticioneve dhe shkrimeve online i tregonin Konservatorëve Britanikë indinjatën e tyre për gjuhën e Mirela Bogdanit dhe kërkonin që Konservatorët të mos lejojnë që të përdhoset emri i tyre në Shqipëri. Kuptohet që myslimanët shqiptarë nuk do të ndërmerrnin një fushatë kaq masive nëse Forumi Mysliman do të kërkonte që në vend se të ankoheshin pranë Partisë Konservatore, dikush të kërkonte të ankoheshin pranë Partive që ne kemi në vendin tonë. Në vendin tonë, shumë Parti ashtu si edhe mediat nuk kanë ndjeshmërinë që britanikët kanë për diversitetin, multikulturalizmin dhe të drejtën e besimtarëve të feve të ndryshme për të jetuar si qenie të nderuara dhe të mos përbuzen ashtu si Mirela Bogdani dhe shumë njerëz me pushtet të shoqërisë sonë e kanë bërë zakon në këto vitet e fundit.
Partia Konservatore e Britanisë së Madhe, disa deputetë dhe zyrtarë të saj iu përgjigjën pozitivisht ankesës së Forumit Mysliman dhe myslimanëve shqiptarë. Nëpër replikat që ata i nisën disa qindra vetësh, nëpër telefonata dhe më në fund nëpërmjet vetë letrës zyrtare që Nicholas Bourne AM, Lider i Opozitës Zyrtare dhe Anëtar i Konservatorëve të Uellsit, për Uellsin Qendror dhe Perëndimor i dërguan Forumit Musliman të Shqipërisë, ata konfirmuan shqetësimin e Partisë me deklaratat e Mirela Bogdanit, krenarinë që kishin pse në Partinë e tyre kishin anëtarë myslimanë, dhe tregonin që Partia kishte nisur një proces hetimor dhe pezullonte Mirela Bogdanit nga Lista e Kandidatëve të Partisë Konservatore.
Siç e ka bërë traditë prej vitesh, Forumi Mysliman, letrën e marrë nga Konservatorët Britanikë e skanoi, e botoi online dhe ia kaloi me email disa mediash. Në ditën në vijim Gazeta Shqiptare botoi këtë letër së bashku me intervistën që i mori kryetarit të Forumit Mysliman të Shqipërisë, Fisnik Kruja.
***
Forumi Mysliman i Shqipërisë, është një organizatë shekullare, pjesë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilit është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë. Themeluar në vitin 2005 nga një grup inxhinierësh, gjeologësh, ekonomistësh, historianësh dhe punëtorësh, Forumi ka si qëllim mbrojtjen e imazhit të Islamit dhe denoncimin e racizmit dhe islamofobisë politike që demostrohet në vendin tonë. Forumi ka protestuar kundër presidentit Alfred Moisiu kur ky i fundit deklaroi në Londër në nëntor të vitit 2005 se në Shqipëri të gjithë myslimanët janë të krishterë dhe Islami është një fenomen i huaj. Forumi është shqetësuar nga racizmi dhe Islamofobia e Ismail Kadaresë, nga përpjekjet për të konvertuar Xhaminë Fatih në Shkodër në Kishë, nga përpjekjet për të thyer laicitetin në vendin tonë nëpërmjet nxitjes së mitit të Nënë Terezës, nga novela raciste e Ben Blushit “Të jetosh në ishull” etj. Ai ka përshëndetur zgjedhjen e presidentit Obama në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i është ankuar OSBE-së për shfaqjet e racizmit dhe Islamofobisë në vendin tonë, ka kontaktuar dhe raportuar në vazhdimësi me OSBE-OHDIR-it shqetësimet e veta dhe është munduar të jetë një organizatë sa më aktive dhe serioze e shoqërisë civile në vendin tonë. Forumi i është përgjigjur edhe historianes britanike Miranda Vickers kur ajo ka gabuar mbi trendet e Islamit në Shqipëri.
Duke qenë një organizatë jo-teologjike, por organizëm i shoqërisë civile, Forumi edhe pse nuk është institucion fetar siç është Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, apo Tarikate dhe organizata të tjera fetare në vendin tonë, nëpërmjet komunikimit me shtypin dhe mediat ka synuar dhe synon që të ruaj imazhin e Islamit dhe myslimanëve të vendit tonë nga ofendimet raciste, përbuzja dhe keqtrajtimet. Ajo që Forumi Mysliman synon t’i mësojë shoqërisë, mediave dhe politikës në Shqipëri, është që myslimanët janë qytetarë me të drejta të barabarta në republikën tonë, Islami është fe e një pjese të madhe qytetarësh të republikës sonë dhe si i tillë duhet të nderohet dhe respektohet sipas ligjit, dhe se Evropa në të cilën në të gjithë synojmë të aderojmë na përket edhe ne, myslimanëve dhe nuk është kundër nesh, myslimanëve, siç e portretizojnë Islamofobët e vendit tonë.

Forumi Mysliman, ka ndërhyrë dhe vazhdon të ndërhyjë në debatet publike shqiptare, në rastet kur e sheh të nevojshme, në mënyrë që të mbrojë imazhin e Islamit dhe myslimanëve të vendit tonë i cili shpesh cenohet nga persona privatë dhe publikë, media dhe politikanë, njerëz të rëndësishëm apo edhe të rëndomtë. Si një lidhje qytetarësh shekullarë, besimtarë në demokraci, republikë, të drejtat e njeriut dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane, Forumi Mysliman nuk është i lidhur pas asnjë institucioni teologjik (siç janë Bashkësitë Fetare), nuk ka asnjë prapavijë politike apo fetare; por qëllimi i tij i vetëm është që të mbrojë dinjitetin e myslimanëve shqiptarë nga abuzimet dhe ofendimet që ata marrin rëndom nga disa qarqe të caktuara në vendin tonë.
***
Që nga momenti kur Forumi Musliman i Shqipërisë i dërgoi letrën e ankesës Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe, Mirela Bogdani ka nisur një fushatë ofendimesh dhe ankesash sa nëpër forumet e internetit aq edhe nëpër gazeta kundër qytetarëve shqiptarë dhe Forumit që protestoi racizmin e saj. Në një forum virtual në internet – të quajtur çamëria – në datën 30 dhjetor 2009 në një mesazh të quajtur “Përgjigja ime për ekstremistet islamike” ajo sulmonte si ekstremistë islamikë A. Rakipin, A. Mehën, H. Nuhiju dhe persona të tjerë që kishin reaguar në këtë forum kundër komenteve të saj. Personat në fjalë etiketoheshin si idiotë, mashtrues, fondamentalistë etj. Ajo sulmonte edhe një deputet mysliman në parlamentit e Ualesit të cilin e quante “brother” mysliman të fondamentalistëve....

Sikur të mos mjaftonin sherret nëpër forumet e internetit dhe kërcënimet me burrin që i punon për spiunazhin britanik, pasi deklarata e Forumit Mysliman u botua në Gazetën Shqiptare dhe në sajtin Balkanweb.com, Mirela Bogdani jo vetëm që ka përgënjeshtruar pezullimin e saj nga Partia Konservatore, por në të njëjtën kohë ka akuzuar dhe shpifur ndaj Forumit Mysliman (nuk i di as emrin si duhet) si një organizatë ekstremiste fondamentaliste pas së cilës fshihet “individi i rrezikshëm Olsi Jazexhiu”. Sulmet kundër meje dhe Forumit Mysliman kanë vazhduar edhe në shkrimin e datës 23/02/2010 me titull “Mbi një konflikt jo thjesht personal” të botuar në të përditshmen Shekulli. Në këtë shkrim ajo Forumin e quan një organizatë “ekstremistësh islamikë”, ndërsa mua “mastermind-i” i tij.
***
Siç e përmenda edhe më lartë, Forumi Mysliman i Shqipërisë ka një histori të lexueshme reagimesh kundër islamofobëve në vendin tonë. Në reagimet e tij, ka qenë i matur, duke vepruar brenda ligjit, dhe ka arritur gjithmonë sukses duke denoncuar islamofobët dhe sensibilizuar opinionin publik si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit me realitetet raciste dhe islamofobike që ekzistojnë në vendin tonë. Edhe në rastin më të fundmë të Mirela Bogdanit, Forumi bëri detyrën e tij, me një sjellje qytetare të lavdërueshme vuri në dijeni autoritetet britanike mbi sjelljen e papranueshme të znj. Bogdani.
Edhe pse Mirela Bogdani e përshkuan Forumin Mysliman si organizatë të Olsi Jazexhiut, shkruesi i këtij shkrimi deklaron se nuk është anëtar i Forumit Mysliman dhe nuk ka qenë asnjëherë zyrtarisht anëtar i tij. Olsi është një myhip (dashamirë) i Forumit Mysliman dhe vazhdimisht ka mbështetur qëndrimet e tij siç ka qenë fjala bie edhe Naim Frashëri, myhip i Bektashizmës. Në rastin më të fundmë, shkruesi i këtij shkrimi e pranon që ka qenë një nga ata qindra qytetarë shqiptarë që kanë telefonuar apo dërguar e-maile Partisë Konservatore dhe kanë shfaqur shqetësimin e tyre ndaj sjelljes së pahijshme të një gruaje që pretendonte se ishte kandidatja e tyre. Në të gjithë këtë mesele nuk ka asgjë gabim. Forumi Mysliman i Shqipërisë, ashtu si edhe disa qindra dhe mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë trevat që popullohen sot nga shqiptarë në Ballkan, kanë reaguar dhe do të reagojnë brenda ligjit – në mbrojte të fesë së tyre, kurdoherë që islamofobët do të fyejnë dhe poshtërojnë myslimanët shqiptarë. Për këtë Mirela Bogdani dhe miqtë e saj duhet të jenë të bindur.

Feja Islame dhe myslimanët shqiptarë duhet të trajtohen me kujdes nga politikanët dhe personazhet publike në Shqipëri dhe jo si qytetarë të dorës së dytë. Fobitë kundër Islamit, grave me shami, njerëzve me mjekra, arabëve, turqve etj që fondamentalistët e krishterë si Piro Misha, Ismail Kadare dhe në rastin më të fundmë Mirela Bogdani mbjellin në mendjet e shqiptarëve janë akte që shkojnë kundër Kushtetutës së Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare që trajtojnë të drejtat e njeriut dhe janë nënshkruar nga Republika e Shqipërisë. Nëse Mirela Bogdanit, Ismail Kadaresë, Piro Mishës dhe islamofobëve të tjerë të vendit tonë, reagimi i myslimanëve në mbrojtje të identitetit të tyre fetar dhe kulturor ju duket ekstremizëm, atëherë duhet ta dinë që reagimi për të mbrojtur identitetin tonë është një e drejtë universale dhe pjesë e qytetërimit evropian në të cilin ne duam të aderojmë sot dhe këto reagime nuk i ndalojnë dot. Në Evropën e Bashkuar ku Shqipëria synon të integrohet njerëzit nuk persekutohen dot për shkak të fesë, origjinës dhe bindjeve të tyre. Evropa e sotme ndryshon nga Evropa e gjysmës së parë të shek XX dhe nuk është më e krishterë dhe përjashtuese e njerëzve të etnive dhe feve të tjera. Evropa në të cilën ne synojmë të aderojmë do dhe duhet të pranojë në gjirin e saj të gjithë, duke përfshirë këtu pse jo, edhe Turqinë.

Debati që bëhet në Shqipëri i cili synon ta rrëfej Evropën si të krishterë dhe anti-muslimane, është një tezë që i takon të kaluarës së errët të kontinentit tonë. Kohëve kur çifutët, romët, komunistët dhe anti-nazistët çoheshin nëpër kampe përqendrimi dhe Holokausti ishte normë e ditës. Evropa në të cilën ne myslimanët e Shqipërisë synojmë të aderojmë nuk mund të përfaqësohet me islamofobët dhe fondamentalistët e krishterë dhe laikë të cilët e shohin atë me syze mesjetare, siç shihte Tomas De-Torquemada myslimanët dhe çifutët e Andaluzisë që i konvertonte me dhunë në katolikë. Evropa drejt të cilës ne si myslimanë kërkojmë të aderojmë, është Evropa e të gjithëve ne, pa dallim feje dhe etnie. Në Evropën ku ne duam të aderojmë racizmi, antisemitizmi dhe Islamofobia nuk duhet të kenë vend. Evropa e sotme nuk është më Evropa e Konicës apo e Fishtës, e arjanëve, e të krishterëve, katolikëve, të bardhëve dhe Holokaustit. Evropa që në duam është Evropa e të gjithëve; Evropa e tolerancës dhe diversitetit.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›