E Diel, 1 Nëntor 2026

Halit Mani, tregtari që iu ndryshua mbiemri

07-02-2013 / Nga Spiro Mëhilli

Halit Man Kafexhia rridhte nga një familje e mesme tregtare nga Shkodra. I ati, Sulejmani, kishte kryer “Robert Kolegjin” dhe kur u kthye në vendlindje u mor me tregti duke hapur dyqan metrazhesh me mallra që i merrte  në Itali, kryesisht në Venetik. Të birin, Halitin, e futi në Shkollën “Françeskane” për 4 vjet dhe më pas e  punësoi pranë vetes. Si i vdiq i ati, Haliti erdhi në Tiranë në vitin 1928 dhe punoi pranë Shyqyri Kërçikut, e më vonë me shkodranin Hasim Dibra dhe si u nda nga ky i fundit, në vitin 1941 u  lidh me vëllezërit Taip dhe Qazim Kalamishi me qendër në Durrës e me filiale në Bari, Tiranë, San Giovani di Medua (Shën Gjin S.M.), Scutari (Shkodër S.M.) e korespondentë në Coriza (Korçë S.M.), Valona (Vlorë S.M.) dhe Porto Edda (Sarandë S.M.)  dhe lidhën kontratë për  tregtin e manifaturës në qytetin e Tiranës.  Kështu vëllezërit Kalamishi dhe Halit Mani hapën Magazinën “AGIMI” për shitje manifakture  me shumicë e pakicë në Sheshin Avni Rustemi Nr. 38, pronë e Shyqyri  Kërçikut. Për formimin e shoqërisë, vëllezërit Kalamishi  derdhën 60000 Franga Shqiptare, kurse Halit Man Kafexhia  vuri punën. Kështu tregtia nisi udhën drejt  pasurimit me djersën e ballit.
Vëllezërit Kalamishi dhe Halit Mani mallrat i porositnin në firma italiane me anë të Dul Rroit  me banim Milano, Via Brera Nr.12, te Nicola D. Mole, përfaqësues tregtar & industrial me qendër në Korçë dhe agjensi në Tiranë; Colombo & Verri  në Milano, Via Alessandria, Nr.5; Calzificio Errera, Milano, Via Settembrini, Nr.5; “APOLLO” Maglificio, Milano, Via F. Aporti, Nr. 18; Soc. An. “ABITAL” Milano, Via  Conservatorio,Nr.15 (Roba të gatshme për burra); Azienda  Drapperie Italiana, Milano, Via  San Gregorio, Nr.34 (stofra burrash); Societa An. “A.R.T.E.X.”, Como, Via Raimondi, Nr.1: Tessiutura Serica Riccardo Mantero, Como, Via Volta, Nr. 60; Feliçe Valter, Como, Via Volta, Nr.7;  Calzificio Carlo Doppieri-Novara;  Manifattura Monzese, Monza, Via Conesio, Nr.12 (coperta, etj.); N.I.V.E.A.- Nuova  Industria Velluti e Affini S.A. Gerenzano (Vareze) me Komisjonerin Italo-Shqiptar të Alfonso Camagna  me qendër në Napoli e deri me Beqir Alija ose vëllezërit Pogu në Shkodër që kishin Fabrikë Sapuni & Parfumit. Në iventarin e magazinës  ndodheshin 188 zëra të ndryshme  si beze, kanavacë, stofra, kostume, damaskë, tafta, astare, këmisha, batanije, sixhade, xhupa, fanela, pudër, kolonjë, sapun, pasta dhëmbësh e shumë artikuj të tjerë. Transporti bëhej nga portet e Venecies dhe të Barit.
Në qershor të vitit 1943, Taip & Qazim Kalamishi, komisionerë në Durrës dhe Halit Man Kafexhija, tregtar në Tiranë, në prani të Noterit publik  në Durrës zotit Esad  Bejleri  zgjidhën  me dëshirë dhe vullnetarisht  shoqërinë kolektive me kapitalin që kishte shkuar 382804.71 fr. shq. duke e pjestuar shumën në dysh dhe duke bërë një skonto për llogari të Halit Manit, shumën 69726.65, pasi ato i kishin marrë më parë. Atë vit Halit Mani ndërtoi shtëpi me dy kate në rrugën Siri Kodra sipas projektit të Spiro Kolekës, në tokën  që i bleu Rexhep Vorbsit.
Në vitin 1944 Halit Mani ndodhej në Itali. Duke parë situatën tejet të vështirë politike, pasi magazinoi mallin në qytetin e Milanos, me shpresë që një ditë do ta sillte në Shqipëri, në muajin tetor u kthye për të marrë familjen që përbëhej nga gruaja, vajza dhe dy djem, por që vendimi i tij u refuzua nga e shoqja. Mbetën në Tiranë për të pësuar në të ardhmen e afërt kalvarin e vuajtjeve.
Më 6 shkurt 1945 atij iu bë inventari i dyqanit dhe rezultoi vetëm me 56 zëra që kapnin vleftën 159951.05 fr. shq. Pa kaluar dy javë, i çuan Tatimin e Jashtëzakonshëm të Fitimeve të Luftës në shumën 600000 fr. shq. dhe në mars të po ati viti,  nga Komisioni i Apelit të Fitimeve të Jashtëzakonshme të Luftës, mbështetur në Shtojcën, Ligjë Nr. 89, mbi tatimet e Jashtëzakonshme të Fitimeve të Luftës, neni 3, detyrimi iu ngrit në 700000 fr. shq.“Pasi simbas konstatimeve të këtij seksioni shuma e caktuar nga komisioni i rregullt, nuk i përshtatet  realitetit duke qenë më i ulët. Prandaj mbasi cënohen interesat e arkës  së Shtetit, kërkoj që Komisioni Apelit  mbasi të shqyrtojë mirë gjendjen dhe fitimet e realizuara prej kësaj firme,  të caktojë fitimet në shumën: fr. shq.700000 e tatim të vërtetuem 183000”. Përgjegjës i Financës Prefekturës Hysen Zala.
Halit Mani nuk ishte në gjendje t’i paguante detyrimin shtetit prandaj i bëri kërkesë  Komisionit të Apelit, i cili ia zbriti fitimin në 505000 fr. shq. dhe atij iu zbritën 10% fitimet normale duke  i lënë shumën neto për t’u tatuar 454500 fr. shq. Përllogaritja  e tatimeve u bë si më poshtë:
100.000   x   15%   =     15.000
100.000    x   20%   =    20.000
254.500   x   30%   =     76.000
-----------
454.500   fr. shq           111.350
Halit Mani në muajin prill u detyrua të lëshonte deklaratën e mëposhtme tek Oficeri i Qarkullimit Beqir Reçi: “I nënshkruemi Halit Mani tregtar Tiranë, Sheshi Avni Rustemi Nr. 38, deklaroj se kam një biçiklet Marka “Bianki” me Nr. 1000237, dhe të regjistrueme në Bashki me Nr. 3344. të cilën e përdoroj për nevojat  e dyqanit tim”.
Biçikleta  ishte mjet që nuk duhej ta mbante një tregtar, prandaj me paturpësi iu sekuestrua “për nevoja të shtetit shqiptar”.
Po atë vit, dyqani u mbyll pas tatimit të tretë të jashtëzakonshëm. Mallrat u konfiskuan pas një inventari të imtësishëm, me pretekstin se vleftën e tyre do ia jepnin më vonë. Për nevoja të shtetit të ri, atë e çuan nëpunës pranë Ndërmarrjes Lokale të Veshmbathjes.
Viti 1949 do vinte me pasoja të tjera. Atij i bëhet biografia. “Qëndrimi politik i Halit Manit  si gjatë luftës  ashtu edhe sot asht indiferent. Gjendja ekonomike e mirë. Ma para ka pas profesionin  tregtar dhe me fitimet e korruna  ka krijue pasurin. Sot asht  nëpunës pranë Ndërmarrjes Lokale të Veshmathjes. Me qenë se ka prona të tepërta, propozojmë që t’i shpronësohen  pa shpërblim pronat e poshtë shënueme: - Shtëpia  me konstruksion tullë-beton e përbame prej  2 katesh  me 6 dhoma e një kuzhinë e ndodhun  në rrugën S. Kodra me Nr. 198. Për nevojat e banimit të familjes  së tija  të përbam prej 6 vetash t’i  jepet shtëpia  e pronarit Shaqir  Seserit e ndodhun në rrugën e Kazanit nr. 5/11 e përbame prej 3 dhomash me konstruksion qerpiçi, propozue për shtetëzim nën nr. 252 të kësaj liste”.
Halit Mani në listën e shtetëzimit ishte në numrin rendor 547, sipër tij ishte Hasan J. Hasa dhe poshtë tij Islam Deliu.
Për të bërë të ditur vendimin, tek Halit Mani shkuan tre ushtarakë dhe i bënë presion që brenda tre ditësh të boshatiste shtëpinë. Fatmirësisht një nip i tij, ish-partizan dhe që kishte një farë detyre në administratën shtetërore, ndërhyri dhe ata  mbetën në shtëpinë e tyre. Në vitin 1950 Halit Mani i dhuroi spitalit civil: lugë, pirunj, thika, batanije, dhe u “shpërblye”  me heqjen e triskave të bukës dhe ushqimeve për shtatë vjet, sa u detyrua të shiste gjithçka kishte,  për të siguruar një minimum jetese. Po atë vit u thirr  dhe iu bë presion që mbiemrin nga Mani ta kthente  në Mali. Ai nuk arriti  ta kuptonte një veprim të tillë të bërë me paramendim. Dardha e ka bishtin prapa. Më 20 prill 1957 u thirrë në Gjykatën Popullore të Tiranës nga Abdul Agalliu, i cili formuloi procesin e mëposhtëm:  “tani si Halit Mani i të ndjerit Mali, banues në Tiranë, për identitetin personal  të të cilit u sigurova  në bazë të pasaportës  Nr. 033551 Seria A datë 20 nëntor 1954 dhe që gëzon aftësi juridike të plota i cili më kërkoi redaktimin e këti teksti (boldi është i imi S.M.): [Dokumenti  u përkthye dhe  u noterizua  edhe në gjuhën italiane,  S.M.]: “I përmenduri,  Halit Mani, me këtë akt emëron   dhe vendos përfaqësues  të tij të përgjithshëm  z. Thanas  Gjoka, i biri i Irakliut, banues në Romë (Itali), duke i dhënë porosi  që të administroj të gjitha pasurit dhe interesat e tija pasurore dhe të disponoj sikur të ishin të tijat duke i dhënë kështu çdo të drejtë dhe pushtet që:
Të kërkoj dhe të mari në dorëzim  çdo lloj malli tregtije  kudo që ndodhet në Republikën Italiane, qoftë pranë  shitësit, qoftë në magazinat e përgjithshme ose  pranë personave të tretë, mallra që porositësi  i ka blerë duke parapaguar tërësisht ose pjesërisht  vleftën e tyre  dhe që nuk janë dorëzuar  akoma  porositësit; t’i shesi këto mallra dhe të inkasojë  shumat përkatëse  duke lëshuar kuintanca të rregullta; të blejë dhe të shesë  qoftë me marrëveshje private, qoftë me ankand publik dhe të shkëmbej sende të lujtshme dhe të palujtëshme duke rënë në marrëveshje për çmimet dhe  kundër premtimet dhe të kërkojë ose të akordojë afate për pagim me të drejtë që të heqi dorë pa kushte nga çdo ipotekë; të krijojë dhe të konçedojë servitudën dhe të drejta uzufruti të përdorjes dhe të bujtjes dhe të heqë dorë nga këto; të cedojë, të blejë  dhe të pranojë me pagim kredira, aksione dhe të drejta të huasë shtetërore, bono të thesarit, aksione shoqërishë, obligacione dhe çdo lloj tjetër kredie, si nominative, tek prurësi ose  me urdhër  dhe të bëjë çdo veprim shkëmbimi, xhirimi, vjegimi dhe çvjegimi të këtyre titujve, të bëjë pjestime  në mënyrë miqësore, qoftë me anë të  gjyqit dhe likuidimit, revizionimi, rregullim llogarishë, vënie dhe heqje vulash dhe inventaresh dhe  të marrë të gjitha masat vërtetimi dhe të ruajtjes  në përgjithësi; të kërkojë vënien e sekuestrios konservative  dhe ekzekutive dhe të  tjerave akte konservative në dorë të debitorëve dhe të personave të tretë dhe të kujdeset për revokimin e tyre; të kërkoj kredina kapitalesh  dhe interesash, shuma, vlefta dhe  objekte  të çdo lloi dhe  sasie dhe me çdo  titull nga arkat e Shtetit, të Provincave dhe të Komuneve, nga administratat e tjera publike, nga Bankat, zyrat postare, arkat e Kursimit, shoqërit dhe nga privatët dhe të lëshojë kuintanca  të rregullta; të bëjë veprime  bankare dhe t’i ndjeki  pranë çdo Zyre, Instituti dhe ndërmarrje, të pranoj dhe të lëshoj kambiale, çeke dhe mandatposta, t’i xhirojë, t’i kërkojë dhe të lëshojë kuintanca për to..............Të emërojë të porositur të tjerë me të njejtat pushtete ose me  pushtet më të kufizuar, t’i revokojë ata  dhe t’i zëvendësojë  me të tjerë; të revokojë gjithashtu çdo tjetër të porositur eventual të më parshëm duke i kërkuar llogari për veprimtarinë e zhvilluar.............. Me një fjalë të veproj  në  çdo drejtim dhe pa asnjë kufizim ashtu sikur do të kishte bërë  edhe vetë porositësi, i cili deklaron  se të gjitha të drejtat  e sipërme që i jepen  të porositurit të kuptohen në mënyrë  që ky të konsiderohet i mveshur edhe me pushtete të tjera që nuk përmenden  shprehimisht në këtë prokurë, por që kanë lidhje me të.......
Kjo prokurë që u redaktua prej Noterit mbi kërkesën e porositësit, i cili e gjen konform vullnetit të tij, nënshkruhet prej meje dhe prej tij”.
Porositësi dhe Noteri
Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata Popullore e Tiranës.
Legalizohet nënshkrimi i Noterit të Tiranës Abdyl Agalliu.
Tiranë më 20/4/1957.
Kjo deklaratë u nënshkrua prej Halit Manit, sikundër dhe prej shumë tregtarëve të tjerë që u paraqitën në Zyrën Komisionere  ngjitur me ATSH-ën e vjetër në Bulevardin “Stalin”, ngritur posaçërisht, vetëm e vetëm për t’u marrë pasuritë tregtarëve që i kishin jashtë shtetit, kryesisht në Itali, duke i mashtruar se do t’i çonin jashtë shtetit që të tërhiqnin pasuritë e tyra të ngrira. Në “mirëbesim” diktoheshin deklaratat  duke autorizuar persona  “të besuar” nga Qeveria Shqiptare që bashkarisht me tregtarët do shkonin në Itali. Në të vërtetë mallrat u tërhoqën nga të “autorizuarit” dhe u shitën te Zingoni. Kur Halit Mani u paraqit në organet e M.P.B.  për të kërkuar të drejtën e tij, i thanë se “ti nuk je  Halit Mani por Mali dhe mallrat nuk janë të tuat”. Për protestën që bëri, si dhe për burgosjen 7 vjet të kunatit, i cili ishte shprehur: “Çfarë fituam që luftuam, lugën e floririt apo sistemin e triskëtimit?” Atij i hyri frika se mos e internonin ose e burgosnin, dukuri që e shoqëroi deri sa vdiq më 22-04-1983.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›