E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama i vetmi politikan që ndërhyn në institucionet e drejtësisë”

08-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi: “Përpara drejtësisë duhet të ishte vetë Edi Rama”
 
“Kreu i selisë rozë Edi Rama është i vetmi politikan që komenton vendimet e gjykatave”. Ky ka qenë reagimi i kreut të drejtësisë Eduard Halimi pas deklaratave të ashpra të kryesocialistit Rama lidhur me vendimin e gjykatës së Tiranës për të akuzuarit për vrasjen e katër protestuesve në ngjarjen e 21 janarit.
Në një dalje për mediat, Halimi tha se Rama flet atëherë kur vendimi nuk është në interesin e tij, ndërsa di të heshtë shumë mirë kur vendimi i gjyqësorit i shkon për shtat, duke i sjellë në vëmendje vendimin për djalin e Luiza Xhuvanit dhe atë të Gramoz Ruçit.
“Rama është i vetmi politikan që komenton vendimet e gjykatave. Rama e ka politizuar këtë çështje, duke ushtruar presion sistematik. Sot para drejtësisë duhet të ishte vetë ai, si instruktor i tyre. Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama sulmon drejtësinë shqiptare kur nuk i pëlqejnë vendimet e saj, dhe as e para që hesht kur vendimet e saj i vijnë për shtat. Kështu heshti zoti Rama kur djali i Gramoz Ruçit plagosi në mes të Tiranës një qytetar të pafajshëm dhe drejtësia e la atë të lirë. Kështu heshti Edi Rama edhe kur djali i Luiza Xhuvanit vrau gjakftohtë me një plumb në kokë një djalë të ri e të pafajshëm. Sot përpara drejtësisë duhet të ishte vetë Edi Rama, arkitekti i vetëm i dhunës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit të së drejtës. Ndaj sulmi i tij tregon vetëm frikën se verdiktet e drejtësisë shqiptare do t’i afrohen edhe karriges së tij. Shqiptarët dhe çdo njeri normal në këtë vend nuk e kuptojnë se cila është lidhja mes vendimit të një gjykate të pavarur dhe vendimit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për të bojkotuar parlamentin. Por shqiptarët më në fund e kanë kuptuar modelin Rama: model që bën presion politik mbi çdo institucion të pavarur, sistematikisht derisa në fund kërkon t’i asfiksojë ato totalisht”, tha Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›