E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia kërkon shpëtim nga “vëllezërit” bullgar

Burime të larta diplomatike për gazetën “Lajm” kanë pohuar se Maqedonia në të ardhmen do t’i kthehet twrwsisht bashkëpunimit me Bullgarinë. Ndryshimi i këtij kursi politik, sipas këtyre burimeve, ka ardhur si rezultat i pakënaqësive të politikës serbe të cilat i kanë shprehur ndaj veprimeve të Gruevskit.

Hapi i parë që ka prishur miqësinë serbo-maqedonase ka qenë pranimi i pavarësisë së Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet. Problem ka qenë edhe dështimi i enciklopedisë, që ishte gatuar në kuzhinat serbe. Përveç se në këtë enciklopedi fyheshin shqiptarët, të gjithë shtetet e tjera fqinje, përveç serbëve ishin trajtuar në mënyrë përbuzëse. Nga ana tjetër maqedonasit janë ndjerë të nënçmuar kur kisha ortodokse e Serbisë vazhdon mos ta njohë atë të Maqedonisë, edhe përkundër faktit se maqedonasit kishës së tyre të deritanishme të quajtur Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) iu shtua prapashtesa arqipeshkvia e Ohrit.

Kryeministri Nikolla Gruevski, duke parë tendencat serbe mbi Maqedoninë, udhëtoi drejt Sofjes ku u prit ngrohtë nga homologu i tij. “Maqedonasit dhe bullgarët janë vëllezër”, pati deklaruar Bojko Borisov gjatë takimit me kryeministrin Gruevski në Sofje.

Përgjigja nga ky gjest i Gruevskit ka mbërritur të enjten kur ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç ka dalë hapur në mbështetje të Greqisë në kontestin për emrin që e ka me Maqedoninë.

“Serbia mbështet qëndrimin e Greqisë në kontestin për emrin e Maqedonisë, për të cilin konsideron se është i arsyeshëm, i baraspeshuar dhe racional”, tha Jeremiç në takimin me ushtruesin e detyrës ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Drucas.

Ministri Serb refuzoi ta përmend edhe emrin e Maqedonisë. “Serbia ka mirëkuptim për qëndrimin e Greqisë lidhur me çështjen e emrit të shtetit kryeqytet i të cilit është Shkupi, duke marrë parasysh se kjo është çështje shumë delikate”, tha Jeremiç.

Sipas burimeve diplomatike, Maqedonia shpëtimin e ka kërkuar në Bullgari, pasi grekët kanë filluar një turne bisedimesh nëpër Ballkan, duke sqaruar se Maqedonia patjetër duhet ta ndryshojë emrin dhe nuk ka asnjë të drejtë të përvetësojë emrin e një territori që nuk është i saj.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›