E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia kundërshton rezolutën serbe për Kosovën


Republika e Maqedonisë pritet që të mos e mbështes miratimin e rezolutës për Kosovën, të cilën Serbia e ka dorëzuar në OKB. Të paktën kështu janë deklaruar përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë, zëvendëskryeministri, Abdilaqim Ademi dhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë, Abdulkadër Memedi. Ndërkaq , kreu shtetëror i Maqedonisë, kryeministri, Nikolla Gruevski dhe presidenti, Gjeorge Ivanov deri më tani nuk e kanë deklaruar ende qëndrimin e tyre për rezolutën serbe.
Burime pranë Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve "INA" se, se Maqedonisë po i ushtrohet presion nga bashkësia ndërkombëtare për të votuar kundër rezolutës serbe, por ndërkaq bëhet e ditur se për një veprim të tillë Shkupi zyrtar nuk është i gatshëm, pasi i trembet ftohjes së raporteve me Beogradin. Mësohet se kreu shtetëror i Maqedonisë po mendohet të mbajë qëndrim neutral ndaj kësaj çështjeje. nga ana tjetër zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi deklaroi të mërkurën se, "Maqedonia nuk do të marrë ndonjë vendim që do të bjerë në kundërshtim me veprimet e deritanishme". Kohë më parë edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë, Abdulkadër Memedi, i pyetur për iniciativën serbe në OKB, tha se Maqedonia nuk do të marrë ndonjë vendim, i cili bie në kundërshtim me veprimet e deritanishme për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç nëpërmjet një letre drejtuar vendeve anëtare të OKB-së kërkon mbështetje për votimin e rezolutës së propozuar, e cila do të jetë në rend dite gjatë muajit shtator. Kjo rezolutë deri më tani është kundërshtuar ashpër nga SHBA-ja, BE-ja dhe shumë vende tjera anëtare të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›