Maqedonia në NATO në Samitin e ardhshëm

Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s në Samitin e radhës të kësaj Aleancë, ka vlerësuar fondacioni amerikan Heritage.
Ky fondacion që loboi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO gjatë Samitit të Çikagos organizoi në Uashington një konferencë për zhvillimet në Evropën Juglindore. “Sekretarja shtetërore amerikane Hillari Klinton shfaqi shpresën se Çikago të jetë samiti i i fundit i NATO pa përfshirë anëtare të reja. Maqedonia duhet të jetë anëtarë e NATO që ditën e nesërme, por realisht, kjo do të ndodhë në samitin e radhës”, deklaroi analisti dhe përfaqësuesi i Fondacionit Heritage, Luk Kofi.
Xhejms Din, zëvendësdrejtor i programit për hulumtime qeveritare në Heritage deklaroi se vendet e rajonit të Ballkanit janë shembull pozitiv në fushën e zbatimit të reformave dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Anëtarësimi megjithatë do të jetë në pikëpyetje nëse deri atëherë Shkupi nuk do të zgjidh kontestin e emrit. Aleanca e Atlantikut Verior në çdo dy vite apo edhe tre vite zakonisht mban Samitet apo Takimet e niveleve të larta për të shqyrtuar, analizuar dhe sjellë vendime të reja lidhur me misionin dhe funksionin e kësaj organizate për mbrojtje dhe siguri globale.
Vendimet e Aleancës miratohet me konsensus të plotë të 28 vendeve anëtare, kështu që çdo vendim kundërshtues nga Greqia do të pamundësojë anëtarësimin e Maqedonisë. Samiti i radhës i NATO-s është paralajmëruar për 2014, duke paralajmëruar edhe sfida të reja për Aleancën e Atlantikut Verior.
Maqedonia tashmë ka humbur dy Samite të radhës, atë të Bukureshtit dhe të Çikagos, duke mos u radhitur si anëtare e Aleancës, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.