Maqedonia njeh Këshillin Kombëtar në Libi

Maqedonia ka njohur qeverisjen kalimtare të Këshillit Kombëtar në Libi, në prag të rrëzimit total të pushtetit 40 vjeçar të diktatorit Moamer Gadafi.
Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë është miratuar pa ndonjë publicitet, ndërsa ai është i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me këtë vendim janë njoftuar përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Libian, por edhe vendet aleate. Maqedonia është një nga 40 vendet e para të botës që ka njohur qeverisjen e re.
“Maqedonia i bashkëngjitet përpjekjeve dhe aktiviteteve të bashkësisë ndërkombëtare për implementimin e qëllimeve të rezolutave 1970 dhe 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.Maqedonia ka njohur qeverisjen kalimtare të Këshillit Nacional në Libi si autoritet legjitim për përfaqësimin e Libisë dhe popullit të saj”, thuhet në komunikatën e MPJ-së. Një vendim të tillë e ka bërë edhe qeveritë në Shqipëri dhe Kosovë, duke njohur qeverisjen kalimtare libiane, pas një diktature 40 vjeçare të udhëhequr nga koloneli Moamer Gadafi, i cili është në kërkim të autoriteteve të reja për tu arrestuar dhe supozohet se fshihet në disa rajone në Libi.