E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia nuk hyn në NATO pa zgjidhur çështjen e emrit

Rasmunsen: Vendi ka bërë reforma të suksesshme, por duhet të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmunsen, arriti në vizitën e tij të parë zyrtare në Maqedoni. Rasmunsen i solli Shkupit porosinë e përsëritur disa herë: Për t’u bërë anëtare e NATO-s, Maqedonia duhet të marrë vendime të rëndësishme.

E vlerësojmë përparimin që keni arritur dhe përkushtimin tuaj për reformat e nevojshme, por mbetet që të bëhen reforma të rëndësishme, kështu që mesazhi im është që të vazhdoni me reformat, vazhdoni që të kontribuoni dhe sa më shpejt të jetë e mundur të gjeni zgjidhje për çështjen me emrin, ka thënë Rasmunsen. "Ne e çmojmë përparimin tuaj në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga NATO. Porosia ime është të vazhdoni me reformat dhe të bëni të gjitha përpjekjet, që të gjeni sa më shpejt një zgjidhje për çështjen e emrit. Këto janë çelësat për hyrje në NATO", ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmunsen.

Kryeministri Gruevski kërkoi më shumë vullnet nga ana e Greqisë për tejkalimin e këtij problemi, duke potencuar se Maqedonia do të vazhdojë të punojë për tejkalimin e pengesës kryesore për anëtarësim në NATO. "Ne vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje për problemin e emrit. Nga ana jonë po bëjmë maksimumin por të njëjtën gjë presim edhe nga pala tjetër. Deri atëherë Maqedonia, mbetet partner stabël i NATO-s. Ne do të vazhdojmë me reformat dhe me pjesëmarrjen në misionet paqësore të Aleancës", ka thënë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Rasmunsen i përcolli të njëjtin qëndrim edhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe atij të LSDM-s, Branko Cervenkovski. Lideri i partisë shqiptare në pushtet Ali Ahmeti, thotë se është i bindur se pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia nuk mund të shpresojë në anëtarësim në strukturat euroatlantike. Në këtë rrugë ka probleme të mëdha, duhen të merren qëndrime të guximshme nga Shkupi ka thënë Ahmeti. "Unë nuk mendoj që nuk do të realizojmë qëllimet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, as nuk mendoj se nuk do të arrijmë që sa më parë të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE, këto janë qëllime tepër të rëndësishme për ne".

Takimi i Gruevskit me Rasmunsen vjen vetëm një ditë pas takimeve të kryeministrit të Maqedonisë me eurokomisarin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fyle dhe me homologun e tij grek Papandreu në Bruksel. Qeveria në Shkup është në pritje të zgjidhjes së çështjes së emrit deri në nëntor, kur mbahet Samiti i NATO-s në Lisbonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›