Kriza te fasoni, 57% deklarojnë humbje
Më shumë se gjysma e bizneseve të pyetura përmes anketës deklarojnë se kanë humbje të aktivitetit dhe një pjesë po aq dërrmuese pranon rënien e fitimeve. Një studim i ACIT (Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare), me financim nga SOROS, publikoi dje të dhënat e anketës për bizneset e sektorit prodhues të veshjeve dhe të punëtorëve të këtij sektori. “ACIT e fokusoi këtë studim te sektori i fasonistëve, i cili jo vetëm është thelbësor për ekonominë dhe eksportet shqiptare, por gjithashtu punëson një pjesë të konsiderueshme të popullatës (përllogariten mbi 80000 punëtorë)”, tha Gentian Elezi, specialist i zyrës.
Pas një pune kërkimore në shifrat dhe politikat zyrtare, pjesë thelbësore e studimit ishin dy pyetësorë: një për fasonistët dhe tjetri për të punësuarit e këtyre bizneseve. Këto kategori u përfaqësuan nga 77 biznese dhe 225 punonjës të shpërndarë në tre qytete të ndryshme: Tiranë, Korçë, Shkodër. “Pyetësori për kompanitë u përqendrua kryesisht te performanca e tyre ekonomike në kohën e krizës, në terma shitje, financash, punësimi etj.”, tha Elezi. Sipas anketës, rreth 57 për qind e kompanive deklaroi që kishte pasur rënie të shitjeve gjatë vitit 2009. Përafërsisht e njëjta shifër reflektohej edhe në tremujorin e parë të 2010-s (58 për qind). Për sa i përket rezultatit financiar, rreth 55 për qind e kompanive të pyetura deklaron që norma e fitimit është ulur ndjeshëm gjatë vitit 2009. Të pyetur mbi shkaqet e këtyre rezultateve, përfaqësuesit e kompanive shprehen se faktorë kryesorë janë rënia e kërkesës në tregjet e eksportit, rritja e kostove të prodhimit dhe mosrespektimi i kontratave nga ana e partnerëve të huaj. “Edhe pse në përgjithësi kompanitë kishin pritshmëri pozitive dhe optimiste për vazhdimin e vitit 2010, ndërkohë kanë marrë disa masa në reagim të kësaj krize, si kërkimi për tregje të reja, përmirësimi i cilësisë dhe imazhit të produktit, pakësimi i forcës punëtore dhe kredi shtesë ose ristrukturim i kredive ekzistuese”, thuhet në raport.
Vihet re se, ajo çka shumica e kompanive kërkonte nga institucionet shtetërore, ishte mbështetja në tregjet ndërkombëtare me anë të marketingut, mbështetja për kreditim dhe lehtësirat fiskale.
Përgjigjet e marra nga pyetësori i punëtorëve reflektuan gjithashtu prezencën e krizës ekonomike që ka prekur sektorin. Kështu, 24 për qind e të anketuarve deklaroi se kishte pasur rënie të të ardhurave personale gjatë vitit 2009. Ndërsa për tremujorin e parë të 2010-s kjo shifër shkonte në 46 për qind. Rënia mesatare e të ardhurave ishte rreth 18 për qind. Kurse 71 për qind mendojnë se kanë pasur një ulje të standardit të jetesës dhe 41 për qind prej tyre deklarojnë se kanë pasur vështirësi në pagesat e shërbimeve (drita, ujë etj.). Sipas tyre, shkak për këtë është në radhë të parë rritja e çmimeve të produkteve ushqimore (82 për qind). Shkaqe të tjera janë rritja e energjisë elektrike, e ujit dhe e kostove të shërbimeve shëndetësore.
“Ndër masat që individët kanë ndërmarrë për t’i bërë ballë krizës, spikasin ulja e shpenzimeve të përditshme, blerja “me listë”, kërkimi borxh te të afërmit dhe kredia konsumatore te bankat”, thekson raporti. Shqetësues mbetet gjithashtu fakti që 70 për qind e tyre mendojnë që emigracioni mbetet alternativë e mirë dhe 66.4 për qind deklarojnë se do donin të emigronin në rastin e liberalizimit të vizave.
#