E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia padit në Hagë, Greqinë

Ministria e Jashtme e Maqedonisë njoftoi se sot ka ngritur procedurë gjyqësore para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë kundër Greqisë për shkak të bllokadës për anëtarësim në NATO. Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme thuhet se Maqedonia dorëzoi Aplikacionin deri tek regjistri i gjykatës me qëllim që Greqia të detyrohet të respektojë obligimet e saj juridike të parapara në Marrëveshjen e Përkohshme të 12 shtator të vitit 1995, që është e obligueshme për të dyja palët për çështjen e emrit. "Sipas nenit 11 të Marrëveshjes së vitit 1995, Greqia obligohet që të mos bëjë ankesë për anëtarësimin e Maqednisë në NATO. Megjithate në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të këtij viti, Greqia e ndaloi ftesën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, me ç'ka në mënyrë flagrante shkeli detyrimet e Marrëveshjes", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme në Shkup. Në dokumentin e nënshkruar nga ministri i jashtëm, Antonio Milloshoski thuhet se arsyeja e dorëzimit të aplikacionit para Gjykatës së Hagës si qëllim të vetëm ka mbrojtjen e të drejtave nga Marrëveshja e Përkohshme për çështjen e emrit. "Jemi të bindur se Gjykata e Drejtësisë do të ndihmojë në zgjidhjen e këtij kontesit juridik. Nuk kërkojmë nga Gjykata që të shqyrtojë këtë si çështje politike, dhe se kontesti i emrit me këtë rast nuk është lëndë e aplikacionit të bërë. Gjithashtu duam të theksojmë se mbetemi fuqimisht të përkushtuar në të gjitha aspektet e marrëveshje së përkohshme, sidomos për procesin e negociatave me Greqinë për emrin, nën patronazhin e ndërmjetësit të OKB-së", thuhet në komunikatë. Ministrja e Jashtme bën të ditur se nga Gjykata e Hagës kërkon që të vërtetojë dhe të deklarohet se Greqia a ka shkelur detyrimet e Marrëveshje së Përkohshme si dhe t'i bëhet thirrje palës greke që të respektojë këtë marrëveshje. "Me këtë kërkojmë që Greqia të ndërpresë dhe të jetë e përmbajtur nga çdo kundërshtim direkt apo indirect për anëtarsimin e Maqedonisë në NATO dhe në çdo organizatë tjetër ndërkombëtare", thuhet në fund të komunikatës së Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›