E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykimi për Kuvendin e LDKsë

Rrahjet që kanë ndodhur tri vjet më parë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, gjatë Kuvendit Zgjedhor të partisë së dikurshme më të madhe në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas disa shtyrjesh, kanë filluar të zbardhen tani.

Në javën e parë të fushatës parazgjedhore, ku nga LDKja e dikurshme, është krijuar Lidhja Demokratike e Dardanisë, Gani Geci, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga kjo forcë politike, së bashku më vëllanë e tij, Esatin e nipin Artonin, janë paraqitur në seancën gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në cilësinë e të akuzuarve.

Paraqitja e tyre në gjykatore ka të bëjë me rastin e 9 dhjetorit 2006.

Sipas aktakuzës, gjatë Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor të LDKsë, ka ndodhur një përleshje. Aty ishin lënduar lehtë dy policë të mbrojtjes së afërt, të cilët siguronin Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Aktakuza sqaron se policët e lënduar janë Islam Haliti e Bajram Gashi. Islami, në natën kritike ishte goditur nga disa persona, në mesin e të cilëve edhe nga të akuzuarit e tashëm. Atij me të rënë në tokë, i ishte marrë revolja nga ana e të akuzuarit Arton Geci.

Polici Bajram Gashi, në tendencë për të shkuar e siguruar Presidentin, pas goditjeve të marra kishte përjetuar edhe një kafshim në gishtin e vogël të dorës. Për këtë kafshim, aktakuza e ngarkon deputetin e tashëm, Gani Geci.

Gani, Arton e Esat Geci, për veprimet e kryera në 2006 nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, përkatësisht prokurori Suad Kuraja, i akuzon për kryerjen e veprës penale të pengimit të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Arton Geci akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Armën të cilën ia kishte marrë policit Islam Haliti, Aton Geci akuzohet se e ka çuar në shtëpinë e tij në Llaushë të Skenderajt. Një ditë pas ngjarjes, armën ia kishte marrë policia.

Që të tre të akuzuarit, pas leximit të aktakuzës në gjykimin e drejtuar nga gjyqtarja Marije Ademi, e mohuan veprën penale të pengimit të personit zyrtar, ndërsa Arton Geci e pranoi pjesërisht veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

I pyetur nëse do të thirret në imunitetin e deputetit, Gani Geci tha se para gjykatës është si çdo qytetar tjetër. Unë nuk do të thirrem në imunitetin e deputetit dhe nuk e pranoj fajësinë, tha Gani Geci, duke shtuar se personat me të cilët është kacafytur bashkë me vëllanë e nipin e tij, nuk e ka ditur se janë policë.

Duke shpjeguar atë çfarë ka ngjarë në natën për të cilën akuzohen tre persona, mbrojtja e Presidentit Sejdiu, polici Islam Haliti, tha se kishte qenë prezent gjatë mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të LDKsë. Në mbrëmje ka shpërthyer tollovia në mes të dy grupeve dhe unë kam filluar ti afrohem tavolinës së presidentit. Dikush më ka goditur në kokë me grusht, dikush më ka kapur për kravate dhe më ka tërhequr, pastaj dikush më ka goditur me një mjet të fortë dhe kam rënë për tokë, tha Haliti.

Ai përmendi të akuzuarin Esat Geci si personin që kishte pasur karrigen në dorë, por tha se nuk e kishte parë ta ketë goditur ai. Në momentin kur kishte rënë për tokë, ai tha se i kishte rënë arma.

Armën e tipi Glock, akuzohet se e ka marrë i akuzuari Arton Geci dhe e ka dërguar në shtëpinë e tij në Llaushë, ndërsa një ditë më vonë policia ia kishte marrë atë. I dëmtuari tha se goditje kishte pasuar edhe nga Gani Geci. Këtë, ai tha se e ka parë vetëm nga televizioni, por jo edhe në vendngjarje.

Në cilësinë e palës së dëmtuar ishte edhe polici Bajram Gashi. Edhe ky në çastet kritike ishte lënduar lehtë. Gani Geci akuzohet se ia ka kafshuar gishtin e vogël të dorës. Këtë e ka thënë vetë i dëmtuari para prokurorit, por këtë nuk e përsëriti të martën në gjykatore. Prokurori lexoi dëshminë që kishte dhënë polici më herët, ku si palë e dëmtuar e kishte identifikuar Gani Gecin si personin që ia kishte kafshuar gishtin, duke u bazuar në tri fotografi.

Me të dalë nga gjykata, deputeti Gani Geci tha se beson në drejtësinë e Kosovës, ndërsa caktimi i seancës në javën e parë të fushatës parazgjedhore tha se nuk është bërë me ndonjë qëllim të caktuar.

Unë nuk dua të besoj se gjyqi mund të bëjë kësi dallimi, gjyqi është caktuar edhe më herët, por në mungesë të prokurorit dhe dëshmitarëve është shtyrë dy herë. As nuk dua të besoj që është ndonjë qëllim, por nëse vërtet ka, atëherë le ta vlerësojnë qytetarët dhe ju gazetarët. Unë i besoj gjyqit të Kosovës dhe do të shohim më vonë a do të ketë anësi apo paanësi, tha Gani Geci.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 10 nëntor ndërsa në të pritet procedimi i dëshmive të reja për këtë rast të vjetër tri vjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›