E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, racizëm akademik antishqiptar

Për Akademinë e Shkencave në Maqedoni, "shqiptarët janë njerëz mali". Kështu shkruhet në Enciklopedinë e përuruar të mërkurën në Shkup. Publikimi i saj ka sjellë edhe reagimin e ashpër të akademikëve të njohur shqiptarë, të cilët kanë deklaruar se Tirana zyrtare duhet të ndërhyjë.

"Është një projekt antishqiptar dhe fatkeqësi është që ky projekt financohet nga paratë tona. Shqiptarët fyhen dhe kjo gjë mbështetet nga autoritetet politike. Tirana nuk duhet të jetë indiferente", ka deklaruar akademiku Ali Aliu. Të njëjtin qëndrim mban edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë, e cila thotë se kjo Enciklopedi përbën një fyerje për kombin shqiptar. "Maqedonia, ngaqë është në krizë identiteti, shfryn gjithçka kundër shqiptarëve. Kjo Enciklopedi përmban fyerje që i tejkalon përmasat njerëzore", ka deklaruar historiani Skënder Hasani.

Enciklopedia përmban edhe ngjarje të tjera të diskutueshme edhe për vetë Maqedoninë, por studiuesit thonë se janë bazuar në fakte.

Shtrembërimet

Enciklopedia e Parë në Maqedoni, e promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, ka përmbajtje tendencioze dhe nuk e pasqyron realitetin e të gjithë popujve që jetojnë në vend, posaçërisht shqiptarëve. Kështu kanë reaguar historianët dhe shoqatat joqeveritare shqiptare. Në këtë Enciklopedi thuhet se në Maqedoni nuk kanë jetuar shqiptarë. Ata nga Shqipëria i kanë kolonizuar këto vise pas shekullit të 16-të, duke u vendosur nëpër shtëpitë e maqedonasve, të cilët i kanë dëbuar më pas prej aty. Ndër të tjera, në këtë Enciklopedi shqiptarët emërtohen si "arbanasë", "arnautë" dhe "shqiptari", ku kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin në kllapa ‘Pllaninci‘ d.m.th. "të malit".

Në këtë Enciklopedi thuhet se shqiptarët vijnë nga viset e Veriut të Shqipërisë, nga i ashtuquajturi fis gegë, dhe emërtohen si ‘të ardhur nga mali‘. Faktet janë shtrembëruar edhe për krijimin e shtetit të parë shqiptar, gjoja i themeluar në vitin ‘44 nga gjermanët.

Reagimet

Kryetari i lëvizjes qytetare "Zgjohu", Artan Grubi, thotë se ky institucion me axhendë politike, që propozoi ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001, po nxit urrejtje ndërnacionale dhe po rrezikon marrëdhëniet ndëretnike në vend. "Zgjohu" i bën thirrje qeverisë maqedonase, si financuese e projektit, të distancohet nga përmbajtja e Enciklopedisë, ndërsa Akademia urgjentisht t‘i kërkojë falje popullit autokton shqiptar të këtyre trojeve, si dhe të përmirësojë Enciklopedinë, duke e tërhequr nga tregu. Ndërkohë, historiani Skënder Hasani, e cilëson Enciklopedinë vazhdimësi të projekteve antishqiptare, të përpiluara nga Akademia Serbe gjatë shekullit të 19-të.

"Më fyese janë elementet që tregojnë qartë etiketimin dhe elementet që i nxjerrin shqiptarët se kanë ardhur prej diku tjetër dhe këtu kanë ardhur si vandalistë dhe se janë e keqja e këtij shteti. Apeloj deri tek akademikët shqiptarë, pjesëmarrës në Akademinë e Maqedonisë, të distancohen nga kjo Enciklopedi dhe pjesëmarrjen e mëtejshme në këtë Akademi ta kushtëzojnë me largimin e këtij botimi, por edhe kërkim falje nga populli shqiptar", theksoi historiani Hasani.

"Nëse Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë konsideron se komuniteti maqedonas ka krizë të identitetit të vet, atëherë kjo krizë nuk mund të mbrohet duke sulmuar, duke përvetësuar dhe falsifikuar historinë e popullit autokton shqiptar në këto troje. Tendenca për t‘i paraqitur shqiptarët si ardhacakë në këto troje, e bashkangjitur me fushatën disavjeçare për zhdukjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve nga këto troje, është një vazhdimësi e të gjitha përpjekjeve të kësaj qeverie dhe komunitetit me shumicë maqedonase", shtoi Grubi.

Akademikët shqiptarë pohojnë se, që nga fillimi i punës për Enciklopedinë janë distancuar nga përmbajtja e saj. Kështu ka deklaruar akademiku Alajdin Abazi. Përgjegjësinë për përmbajtjen e dyshimtë të historisë shqiptare në këtë Enciklopedi nuk e merr as Shukri Rahimi, i cili figuron si redaktor i Enciklopedisë në pjesën e historisë shqiptare. "Duket që projekti është pak a shumë politik, i ndikuar prej politikës ditore dhe nuk ka të bëjë me realitetin shkencor, e po ashtu mund të ndikojë në keqësimin e marrëdhënieve mes popujve, njerëzve dhe intelektualëve të përkatësive të ndryshme", deklaroi Alajdin Abazi, anëtar i Akademisë.

Shukri Raimi tha se ka qenë i propozuar nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Maqedonisë si redaktor i Enciklopedisë, por një gjë të tillë nuk e ka pranuar. "Duke e ditur se me kë do të bashkëpunoja nuk kam pranuar të bëhem redaktor për çështje të historisë shqiptare. Kam qenë i propozuar, por kam hequr dorë më pas", shpjegon historiani Shukri Raimi.

Redaktori tjetër shqiptar i kësaj Enciklopedie, Agim Poloska, i angazhuar për pjesën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, thotë se ajo nuk është e përkryer dhe se ka hapësirë për ndërhyrje në pjesë të caktuara. "Ndoshta nuk jam edhe unë i kënaqur, edhe pse jam redaktor, mundet të jetë më e mirë. Por kjo është një nismë...", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›