Brukseli kërkon “Planin Berisha” për opozitënNga Mero BazeBashkimi Evropian i kërkoi dy ditë më parë qeverisë shqiptare të nisë urgjent dialogun me opozitën për normalizimin e asaj që diplomatët amerikanë në OSBE e quajtën “besim i minuar politik”, i
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Brukseli kërkon “Planin Berisha” për opozitënNga Mero BazeBashkimi Evropian i kërkoi dy ditë më parë qeverisë shqiptare të nisë urgjent dialogun me opozitën për normalizimin e asaj që diplomatët amerikanë në OSBE e quajtën “besim i minuar politik”, i cili u prodhua nga procesi i numërimit të votave. Megjithëse pritej dhe ishte e natyrshme që tonet kritike për qëndrimin jashtë Kuvendit të opozitës të ishin të larta, në të vërtetë bie në sy fakti që Brukseli po ia adreson këtë problem qeverisë shqiptare, duke e kaluar tashmë topin në fushën e saj për të ndërtuar këtë klimë besimi.
Problemi që po krijohet me qëndrimin e kushtëzuar të opozitës shqiptare ndaj hyrjes në parlament, është mos-serioziteti me të cilin qeveria po shikon kërkesën thelbësore të opozitës, atë të hetimit parlamentar të cilësisë së procesit të numërimit të votave. Me një ironi të padobishme tashmë për qeverinë, disa drejtues të opozitës u përpoqën ta trajtojnë çështjen e mos-shkuarjes së opozitës në Kuvend si çështje të brendshme të PS, që ka lidhje me zgjedhjet e kreut të PS. Por, edhe pse kundërshtarët e zotit Rama në PS janë në një gjatësi vale me kërkesën e Berishës për t’u kthyer në Kuvend, së paku ata nuk e paraqesin këtë si nevojë të luftës së tyre politike në PS. Ata thjesht duan të bëjnë një diferencë nga zoti Rama. Bojkoti i kushtëzuar i Kuvendit nga opozita më e madhe në vend nuk është çështje e debatit të brendshëm në PS, pasi rizgjedhja e Edi Ramës nuk ka asnjë rrezik nga qëndrime radikale apo të moderuara. Duke e trajtuar në mënyrë cinike këtë vendim të opozitës, dhe duke injoruar kërkesën e tyre thelbësore për hetim të procesit të numërimit të votave, qeveria në të vërtetë ka ngjallur shqetësim real në Bruksel për një mungesë perspektive për zgjidhjen e kësaj krize politike, që doemos do ta dëmtojë axhendën evropiane të Shqipërisë.
Është e qartë se Berisha nuk do t’i thotë që ditën e parë “Po” kërkesës së Edi Ramës, por nuk ka pse bën qesharakë vartësit e tij në parti, që sot dalin e thonë është çështje e brendshme dhe nesër mund të bëhen negociatorë për zgjidhjen e kësaj krize. Vetë Berisha në historinë e bojkoteve të tij tradicionale, edhe pse ka patur qëndrim më radikal se ky i kësaj opozite ndaj legjitimitetit të parlamentit, nuk është rikthyer aty pa u kompensuar për atë që e ka konsideruar cenim legjitimiteti. Mjafton të kujtojmë se pas zgjedhjeve problematike të vitit 2001, kur ishte kryeministër Ilir Meta, bojkoti i zotit Berisha përfundoi, kur ai u thirr në Bruksel, iu premtua një president konsensual, dhe disa javë para se të merrte vendimin, me një marrëveshje të nëndheshme me Ilir Metën siguroi dhe shkarkimin e kryeprokurorit, Arben Rakipi. Pra, Berisha u rikthye më 2002 në Kuvend, kur siguroi një prokuror të propozuar prej tij dhe një president të propozuar prej tij. Edi Rama nuk i ka këto kushte. Ai thjesht po kërkon të hetohet procesi i numërimit në rrugë parlamentare, një kërkesë kjo shumë legjitime, që jo vetëm nuk nënkupton bojkotin, por përkundrazi e zhvendos aksionin politik në parlament.
Pikërisht për këtë arsye topi është në fushën e qeverisë dhe ajo duhet të ndërmarrë hapa që prodhojnë një klimë të re besimi politik. Shqetësimi i dukshëm i Berishës për këtë bojkot të kushtëzuar shihet në çdo dalje të tij publike, por mungesa e seriozitetit, me të cilin ai po e trajton këtë problem, ka për t’ia rritur çmimin kësaj krize nga dita në ditë. Kjo krizë nuk zgjidhet duke shkuar disa deputetë të mërzitur me Edi Ramën në Kuvend. Edhe sikur ata të shkojnë para kohe, edhe sikur Berisha të fillojë nga e para duke i quajtur ata “reformatorë” apo “malshovistë”, siç quante dikur Ilir Metën në pushtetin e tij të parë, edhe sikur Edi Rama të mos ndërmarrë asnjë ndëshkim për ata që shkojnë në Kuvend, problemi nuk zgjidhet. Legjitimiteti i opozitës nuk vihet në dyshim nga përpjekja për ta bipolarizuar atë. Kriza zgjidhet, kur Berisha të mos bërtasë rrugëve për opozitën që nuk i shkon në Kuvend, por t’i hapë rrugë hetimit të kutive të 28 qershorit dhe të ringjallë besimin e vrarë politik në vend. Brukseli jo më kot po i drejtohet qeverisë për të vendosur dialogun me opozitën dhe kur kjo thirrje bëhet publikisht nga Brukseli, nuk nënkupton që Berisha të prodhojë një opozitë pro tij, por të gjejë gjuhën me atë opozitë që ka përballë.