Topi me Vujanoviç: Vendet tona ndajnë të njëjtën ëndërr
Presidenti shqiptar, Bamir Topi, ka kryer dje një vizitë në Mal të Zi, ku është pritur nga homologu i tij malazez, Filip Vujanoviç. Në qendër të bisedës mes dy presidentëve ishte integrimi i dy vendeve në familjen e madhe të Bashkimit Europian dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Presidenti Topi theksoi se "Shqipëria e Mali i Zi do të bëhen anëtare të BE-së dhe do të lënë mënjanë kompleksitetin që ka sjellë e kaluara". Më tej, ai shtoi se "do të vijë dita shumë shpejt dhe ky nuk është një prononcim hipotetik, që edhe vendet tona të jenë anëtare të Bashkimit Europian e të jetojnë në një bashkësi europiane". Dy presidentët kanë theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë qëllime dhe interesa të njëjta euroatlantike dhe theksuam bashkëpunimin e mirë mes tyre. "Marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe ne ndamë mendimin që të ketë një dinamikë më të përshpejtuar me zhvillime të tjera, duke ndarë edhe përvojën pozitive, në mënyrë që të shkurtojmë rrugën e përbashkët integruese", u shpreh Presidenti Topi. Ndërsa homologu i tij malazez e përgëzoi për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe për kontributin e tij personal në këtë drejtim. Vujanoviç shtoi se Mali i Zi do të ndihmojë për integrimin e Shqipërisë tani në rrugën tjetër të rëndësishme, atë për në BE. "Për sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, ne jemi një hap përpara Shqipërisë dhe jemi të gatshëm që përvojën tonë ta ndajmë me të", u shpreh ai. Topi dhe Vujanoviç rikonfirmuan se faktori shqiptar është një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.