E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia tërheq nga shitja Enciklopedinë e debateve

 

Blerand rexhepi

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë është dorëzuar para reagimit të fortë të shqiptarëve dhe të gjithë fqinjëve të tjerë në Ballkan, (përveç Serbisë), mbi akuzat për shtrembërimin e  fakteve historike në enciklopedinë e publikuar së fundmi. Kryesia e ASHAM vendosi në një mbledhje të zhvilluar dje, se enciklopedia duhet të tërhiqet nga shitja. Kryesia vendosi se, në një afat shumë të shkurtër kohor, duket të bëhen ndryshimet në enciklopedi mbi faktet që flasin në lidhjet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, shqiptarët në Maqedoni, Ali Ahmetin, agresionin ndaj Maqedonisë, Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe Nënë Terezën. “Kryesia e ASHAM-it ka shfaqur brengosje të thellë për faktin se Enciklopedia e parë maqedonase shkaktoi reagime dhe debate të ashpra dhe të padëshiruara, që u bënë shkas për tensione të reja ndëretnike në Maqedoni, si dhe shkas për një sërë pakënaqësish dhe reagimesh. Kryesia e ASHAM-it distancohet dhe shfaq brengosjen për pasaktësinë eventuale dhe të paqëllimshme të përmbajtjes së botimit të parë promovues të Enciklopedisë maqedonase dhe e bind opinionin maqedonas dhe ndërkombëtar se të njëjtat do të korrigjohen, pa bërë me këtë rast ndonjë rishikim të fakteve historike dhe pa irrituar emocionet kolektive të bashkësive që janë pjesë e Maqedonisë moderne”, thuhet në komunikatën e Akademisë. Në të theksohet se Akademia si institucion i lartë shkencor në Maqedoni, në asnjë moment nuk ka qenë antishqiptare dhe as që ka paragjykuar ksenofobi në raport me bashkësitë etnike në Maqedoni dhe shpreh keqardhjen për formulimet jo përkatëse që disa autorë të teksteve kanë shprehur ndaj ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Në botimin e ri të enciklopedisë maqedonase, redaksia që ka bërë botimin, me urdhër të kryesisë së Akademisë duhet që të bëjë ndryshimin në bashkëpunim me akademikët shqiptarë dhe anëtarë të pakicave të tjera në Maqedoni. Tani pritet që Kryesia e Akademisë të thërresë një mbledhje urgjente në të cilën do pyeten anëtarët e Akademisë me në krye kryetarin Bllazhe Ristovskin. Ndërsa në sallën e kryesisë së Akademisë zhvillohej takimi që do të merrte vendimin e rëndësishëm për tërheqjen e mashtrimeve historike, në rrugë studentë e OJQ kishin dalë në protesta me sloganet “Jovan Bigorski është shqiptar”, “Nacionalitet artificial”, “Vdekje për sllavët”, “Kthehuni në vendlindjen tuaj atje në Karpate”, Ilirida”. Organizata joqeveritare “Ilirikum Libertas”, parlamenti i studentëve të Universitetit shtetëror të Tetovës dhe unioni i studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore, protestuan dje në Tetovë me kërkesën që Enciklopedia maqedonase të tërhiqet nga tregu. Studentët e OJQ-të e shqiptarëve në Maqedoni kërkuan edhe ndihmën e Shqipërisë për të ndëshkuar fyerjen e madhe, që i është bërë identitetit shqiptar në rajon nga Maqedonia, një shtet që nuk ka zgjidhur ende problemet e identitetit të saj me fqinjët. Me parulla “Veto nga Shqipëria për FYROM”, ata kërkuan që enciklopedia të tërhiqet, kurse autori kryesor i saj, Bllazhe Ristoski, i cili sipas tyre është bartës kryesor për përkeqësimin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, të japë menjëherë dorëheqjen. “Kërkojmë të tërhiqet enciklopedia, duam që të na kërkojnë falje dhe gjithashtu një kërkesë ndjese deri nga partia VMRO-DPMNE, e cila është edhe ideatore e kësaj enciklopedie, u kërkojmë të drejtohen në mënyrë më të civilizuar”, thirri një studente e pranishme në protesta. Gjatë protestave studentët e irrituar fajësonin dhe shanin nacionalitetin maqedonas. Gjatë kohës sa ishte mbajtur protesta, kishte një përforcim të madh  policor. Pas protestës u bë shpërndarja e qetë e studentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›