Vranë pas grabitjes, hapet dosja
PESHKOPI/ HASAN PASHA
Drejt zbardhjes ngjarja më e bujshme e vitit 1996, ndodhur në fshatin Reç të rrethit Dibër, ku mbeti i vrarë shoferi u autobusit të linjës Reç-Peshkopi dhe arkëtari i komunës. Dosja voluminoze e vrasjes së dyfishtë ka bërë xhiro në disa prokurori të rretheve të veriut të vendit, ndërkohë ditë më parë ka përfunduar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat. Burime të rezervuara informacioni saktësojnë se ky hetim i është besuar nga Prokuroria e Përgjithshme prokurorit Sabri Kastrati. Mësohet se vetë kryeprokurorja Ina Rama ka vendosur, pasi Kastrati ia ka dalë të zbardhë me sukses 5-6 vrasje të bujshme në qytetin e Burrelit, ngjarje të ndodhur në vitin 1997. Ngjarja që tronditi Dibrën u regjistrua në qershor të vitit 1996. Pesë persona të maskuar dhe të armatosur i zunë pritë autobusit të linjës Peshkopi-Reç. Fillimisht banda e armatosur terrorizoi udhëtarët dhe më pastaj kërkoi dorëzimin e parave të komunës, lekët që arkëtari Asllan Meçe kishte tërhequr për pagat, pensionet, ndihmën ekonomike dhe trajtimin e invalidëve të komunë Reç. Udhëtarët e tmerruar kanë lënë mjetin dhe janë ngjitur malit nga frika, ndërkohë shoferi Ramiz Elezi dhe Asllan Meçe kanë bërë rezistencë dhe janë përleshur me njerëzit e armatosur për të mbrojtur paratë. Por rezistenca e tyre është paguar me jetë. Policia lokale dhe Prokuroria e Rrethit Dibër nisën hetimet, por për shkaqe nga më të ndryshmet nuk arriti ta dokumentojë ngjarjen e rëndë kriminale. Familjarët e dy viktimave dhe banorët e zonës herë pas here i shkruanin autoriteteve të larta të shtetit, duke kërkuar gjetjen e autorëve. Prokuroria e Rrethit heq dorë nga hetimi, duke ia kaluar atë prokurorive të tjera të vendit. Kaluan 13 vjet dhe ngjarja mbeti e pazbardhur. Asaj i është bashkuar dhe hetimi i vrasjes së oficerit të policisë në vitin 1997, Miftar Krashi, i cili merrej me hetimin e bandës së grabitësve vrasës. Mendohet se prokurorët e tërhequr kanë pasur frikë t’i shkojnë deri në fund kësaj ngjarje ose personat që vranë shoferin dhe arkëtarin e pafajshëm kanë pasur mbrojtje nga njerëz me pushtet. Aktualisht, dosja është mjaft voluminoze dhe në të janë kopsitur prova të shumta, përgjime telefonike, dëshmi të udhëtarëve në vendin e ngjarjes, të njërit prej të dënuarve për vrasjen e oficerit të policisë Miftar Krashi, si dhe dokumente e prova të tjera materiale të dobishme për zbardhjen e plotë të ngjarjes së vjetër. Burime konfidenciale thonë se janë të paktën 4 persona nën hetim për këtë ngjarje të rëndë, persona këta të akuzuar për disa vrasje në rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht në Tiranë dhe Burrel, trafiqe të ndryshme, grabitje me armë, etj.