E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurbin, atentat zbutësit të ujkut, u shpëton 32 plumbave të kallashit

 

KURBIN – Atentat zbutësit të ujkut. Rrok Hoti, 50 vjeç i shpëtoi për mrekulli breshërisë së një kallashnikovi në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit. Ngjarja ndodhi të martën, pranë shkollës së mesme të fshatit, në rrugën nacionale Patok-Laç. Sipas policisë, Rrok Hoti ishte i vetëm në një zetor me të cilin do të punonte tokat e tij, kur është ndeshur me personin që i kishte zënë pritë. Ai ka zbrazur ndaj 50-vjeçarit plot 32 plumba, por për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk e ka kapur në trup. Policia mbërriti në vend pas sinjalizimit të dhënë dhe konstatoi se Hoti nuk kishte pësuar dëmtime. Në bazë edhe të dëshmisë së tij, blutë arritën të identifikonin autorin e këtij krimi, i cili është shpallur në kërkim. Për efekt hetimi, policia jep vetëm inicialet e tij, M.N. Mësohet se një javë para kësaj ngjarjeje, personi që tentoi të vriste 50-vjeçarin, në bashkëpunim edhe me të tjerë kishin rrahur e masakruar me mjete të forta djalin e Rrok Hotit. Atentatori është larguar nga vendi i ngjarjes duke menduar se e kishte lënë të vdekur Hotin. Ky i fundit ka arritur ta njohë atë dhe ta identifikojë për grupin e hetimit. Sipas policisë, shtetasi me inicialet M.N., është shpallur në kërkim, por ai është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Blutë po hetojnë edhe shkaqet e konfliktit të viktimës një javë më parë. Rrok Hoti është një nga personat me të njohur në rrethin e Kurbinit. Ai u bë personazh pasi arriti të zbusë ujkun, duke bërë të mundur bashkëjetesën e kafshës mishngrënëse me një gomar. r.n

Borxhi, qëllohet me 20 plumba
MEMALIAJ - Shpëton nga vrasja e sigurt një 32-vjeçar nga Memaliaj pas 20 të shtënave me armë zjarri kundrejt tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Memaliaj përbri qytetit që mban të njëjtin emër mbrëmjen e së martës. Armand Meçaj, 30 vjeç, bashkë me kushëririn 20-vjeçar, Erlind Meçaj qëlluan në drejtim të shtëpisë së S.P., pasi sipas tyre u kishte një borxh të vjetër. Dy kushërinjtë kanë përdorur automatikun për të vrarë personin e padëshiruar për ta, por plumbat e kanë kapur vetëm në këmbë. Pas plagosjes i lënduari është shtruar urgjentisht në spitalin e Tepelenës. Një aksion i shpejtë i policisë së Tepelenës dhe Gjirokastrës solli arrestimin e 30-vjeçarit, ndërsa bashkëpunëtori u shpall në kërkim. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›