Ish-shefi i krimeve të Rinasit në gjyq për akuzën e plagosjes
TIRANE – Një ish-zyrtar i policisë së Rinasit dërgohet i pandehur në Gjykatë për akuzën e plagosjes. Astrit Gjonpalaj, ish-shefi i krimeve në komisariatin e policisë së Rinasit është dërguar në gjyq me akuzën “plagosje e lehtë me dashje”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës sipas të cilave dosja penale do të shqyrtohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Ngjarja për të cilën akuzohet ish-shefi i krimeve n komisariatin e Rinasit, ka ndodhur më 28 prill 2009, kur Gjonpalaj është pezulluar nga detyra pas një incidenti, që ka pasur me disa persona në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të rrugës “Mine Peza” pranë zyrave ku punonte bashkëshortja e ish-zyrtarit të policisë. Ky i fundit akuzohet se është konfliktuar me dy gra dhe shoqëruesin e tyre për shkak të konkurrencës së kompanisë së tyre ndaj subjektit ku punonte gruaja e ish-zyrtarit të policisë. “Iris Çekani, pronarja e agjencisë turistike “Mar East Travel”, është plagosur lehtë në kokë dhe në trup”, thuhet në akuzën ndaj ish-policit. Sipas prokurorisë, dhuna e ushtruar i ka shkaktuar dëmtime edhe personit tjetër që shoqëronte Iris Çekanin. Ngjarja nuk kishte asnjë lidhje me detyrën që kryente në polici Astrit Gjonpalaj, megjithatë menjëherë pas incidentit, ai u pezullua nga detyra. Kjo i hapi rrugë më pas hetimeve të prokurorisë për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet. Vëllai i Iris Çekanit, Endi Çekani, ka dëshmuar për hetuesit se motra e tij punonte prej rreth 2 vjetësh në këtë agjenci, zyrat e të cilës ndodhej tek “Mine Peza. “Aty përballë është një agjenci tjetër, ku punonte gruaja e ish-shefit të krimeve të Rinasit, Astrit Gjonpalaj”, ka thënë vëllai i të dëmtuarës. Sipas tij, punonjëset e agjencive kanë pasur disa herë fërkime për çështje konkurrence mes dy aktiviteteve, madje pretendohet se ka pasur edhe kërcënime që njëra palë të mbyllte zyrat. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja për të cilën dyshohet ish-zyrtari i policisë së Rinasit, sipas hetimit, në vendin e ngjarjes ka pasur disa dëshmitarë që kanë treguar se konflikti është zhvilluar para ish-kafe “Flora”. Si pasojë e konfliktit fizik ka mbetur e dëmtuar Iris Çekani si dhe një grua tjetër, punonjëse në një ambasadë e cila ndodhej bashkë me të dëmtuarën në momentin e ngjarjes. Pas kësaj policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe mori kallëzimet penale nga personat e dëmtuar. Të dy palët akuzuan njëra tjetrën për konfliktin, ndërsa tani prokuroria ka çuar të pandehur në gjyq ish-zyrtarin e policisë së Rinasit. Ai ka mohuar akuzën, duke hedhur poshtë çdo pretendim për dhunë ndaj personave të tjerë.