Vlorë, ndërtimorët prishin lokalin e Zanit
VLORE – Policia Ndërtimore prish ndërtimet pa leje në plazhin e Triportit. Mes 18 objekteve që u bënë dje pjesë e aksionit ishte dhe lokali në pronësi të Zani Çaushit, i dhënë me qira prej tij vite më parë. Fadroma e Policisë Ndërtimore ka nisur aksionin e planifikuar mëngjesin e djeshëm për të rrëzuar këto objekte, kryesisht lokale, të ndërtuar me dru, por dhe me beton, ndonëse nuk ishin pajisur me lejen përkatëse. Midis 18 lokaleve të prishura mësohet nga burimet se ishte dhe ai që njihej në Vlorë, si pronë e Zani Çaushit. Nisur nga fakti se asnjë nga pronarët nuk zotëronte leje për ushtrimin e aktivitetit, ata nuk kanë bërë rezistencë ndaj aksionit të policisë. Disa prej tyre mësohet se i kishin nisur prej ditësh prishjen e lokaleve që kishin shfrytëzuar për vite me radhë, për të shpëtuar pajisjet brenda tyre. Aksioni i Policisë Ndërtimore të Vlorës u mbështet dhe nga ajo e Tiranës si dhe Policia e Rendit. Në listë janë 194 ndërtime pa leje në të gjithë bregdetin, që nga grykëderdhja e lumit Vjosë e deri në Sarandë. Rreth 19 pronarë lokalesh janë dërguar për ndjekje penale për shkak se ndërtimet e kryera me beton kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në zonën ku kanë ndërtuar. q.b