E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia zhvillon lobimet e fundit para Samitit të Çikagos

Shkupi zyrtar po kryen lobimet e fundit për marrjen e ftesës apo një sinjali pozitiv për anëtarësimin e vendit në NATO në Samitin e Çikagos.

Presidenti Gjorgje Ivanov si dhe një pjesë e kabinetit qeveritar po zhvillojnë axhenda intensive të vizitave në disa shtete dhe qendra botërore, për të siguruar mbështetje për anëtarësimin e vendit në NATO, raporton agjencia e lajmeve INA.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi dhe zëvendëskryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi po i prijnë vizitave intensive, duke kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për anëtarësim në NATO.

Ministri Popovski dhe zëvendëskryeministrja Arifi po vijojnë qëndrimin në SHBA, ku pritet vazhdimi i axhendës së takimeve në nivele të larta me zyrtarë amerikan për të kërkuar mbështetjen .

Ministri Popovski pas një takimi me zyrtarë amerikan dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, kërkoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe respektimin e vendimit të GJND-së lidhur me kontestin e emrit, për të mos bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në organizmat ndërkombëtare.

Ministri Popovski ka kërkuar mbështetje të hapur edhe nga administrata amerikane, për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO gjatë Samitit që do të mbahet më 20 dhe 21 maj në Çikago.

Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi gjithashtu ka pasur një agjendë të ngjeshur dhe gjatë dy javëve të fundit ka qenë në vizita zyrtare duke nisur nga takimet në SHBA, përfshirë edhe pritjen e organizuar nga sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Paneta.

Besimi gjithashtu ka kërkuar sinjale të qarta për pranimin e vendit si anëtare të Aleancës. Vizita e Besimit ka vijuar në Gjermani, ndërsa prej sot ai po qëndron në Norvegji.

Agjendën lobuese po vijon edhe zëvendëskryeministrja për evorintegrime Teuta Arifi, e cila këto ditë po qëndron në SHBA dhe ka zhvilluar takimet e para me zyrtarë të OKB-së dhe takime tjera që priten të zhvillohen në Uashington.

Mediat proqeveritare në Shkup po i japin hapësirë të veçantë lobimit të kabinetit qeveritar në prag të Samitit të NATO. Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të Aleancës kanë dhënë sinjalin e qartë se në Samitin e Çikagos nuk do ketë agjendë zgjerimi por vetëm inkurajime për vendet pretenduese për anëtarësim. Maqedonia pritet që edhe në Samitin e Çikagos, katër vite pas atij të Bukureshtit të humb shansin për të qenë anëtare e NATO-s, për shkak të moszgjidhjes së emrit të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›