Maqedoni,analistët: Qeveria po zhvendos vëmendjen për krizën
Analistët dhe ekspertët për çështje politike theksojnë se "zhurma e ngritur rreth enciklopedisë maqedonase" po çfokuson problemet e brendshme me shqiptarët dhe krizën e përgjithshme në Maqedoni. Analisti Jeton Shasivari ka theksuar se qëllimi kryesor i kësaj enciklopedie është që shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar të shpërqëndrohet nga kriza politike dhe ekonomike që ka përfshirë vendin, njofton agjencia e lajmeve INA. "Qeveria si pasojë e pa aftësisë për të zgjidhur problemet, po i jep kahje të gjërë enciklopedisë. Nga ana tjetër, po shfaqet vazhdimësia e idesë së VMRO-së për ndarjen e Maqedonisë, edhe si rezultat i mosgatishmërisë për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit", ka theksuar ligjëruesi universitar Shasivari, duke shtuar se këto tendenca të lancuara, po trazojnë edhe marrëdhëniet ndërfqinjësore me vendet përreth, duke u larguar gjithashtu nga proceset e eurointegrimeve. Edhe eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadriu ka vlerësuar se botimi i "Enciklopedisë maqedonase" në këtë periudhë nuk është çështje e rastit. "Ky veprim është mirë i paramenduar nga qarqe institucionale dhe akademike dhe kanë prapavijën e tyre konkrete. Me këtë ata tentojnë të thyejnë kombin shqiptar në Maqedoni, duke i injoruar historinë, me të cilën vjen në pyetje drejtpërdrejt statusi kushtetues-juridik i shqiptarëve", ka theksuar Kadriu, duke shtuar se kjo situatë do të ketë pasoja të mëdha, pasi sipas tij, nuk ka distancime të qarta institucionale nga skenare të tilla shoveniste. Ai ka shtuar se përgjegjësia kryesore bie edhe mbi qeverinë e Maqedonisë, e cila është si promotore dhe financuese e këtij projekti.