E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonishtja e detyrueshme në klasë të parë, mollë sherri

Shkup, 16 janar, NOA - Mësimi i maqedonishtes
nga klasa e parë prej nxënësve shqiptarë vazhdon të jetë një mollë sherri e
politikës ditore. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov ka kërcënuar
se do t`ua marrë kompetencat komunave, të cilat nuk respektojnë detyrimin për
mësimin e gjuhës maqedonase nëpër shkollat shqipe dhe komunitetet e tjera
jomaqedonase që nga klasa e parë.

Ministri Todorov ka nënvizuar se vendimi është ligjor dhe nuk ka bazë për
vlerësim të kushtetutshmërisë. Derisa këtë e ka bërë të ditur ministri i
kabinetit Gruevskit, organizata joqeveritare Realiteti nga Shkupi dje ka
dorëzuar deri te Gjykata Kushtetuese iniciativën për vlerësim të
kushtetutshmërisë së vendimit të ministrit të arsimit që fëmijët të cilët nuk i
përkatësin etnitetit maqedonas, të detyrohen ta mësojnë maqedonishten nga klasa
e parë.

Ky vendim thyen rëndë kushtetutshmërinë dhe
ligjshmërinë në vend, gjegjësisht neni 8 i Kushtetutës ku thotë, dominimi i
ligjshmërisë në shtet dhe ndarja e pushteteve do të thotë kemi përzierje këtu
të ekzekutivit në pozicionin e ligjvënësit. Gjithashtu mendojmë se neni 51 i
kushtetutës ku citoj çdokush është i obliguar të respektoj kushtetutën dhe
ligjin paramendoni kur ballafaqohemi me një situatë ku vet ministri nuk e
respekton ligjin sidomos atë për arsim fillor, ka deklaruar kryetari i OJQ-së
Realiteti, Valon Bela.
Edhe organizata Illyricum Libertas është solidarizuar kundër vendimit të
ministrisë së arsimit. Qëndrimet e këtij ministri janë shoviniste, por ajo që
do të kërkojmë është të bojkotohet mësimi. Ne do të takohemi me Këshillat e
prindërve në ditët në vazhdim për ta sqaruar përfundimisht çështjen e bojkotit
dhe që ta bëjmë këtë bojkot sa më të koordinuar. Si mjet i fundit i reagimit
demokratik mbetet protesta e qetë kundër vendimit, ka theksuar kryetari i
Illyricum Libertas, Valon Kurtishi.

Ky problem po ndiqet me kritika të forta edhe
nga ana e sociologëve dhe pedagogëve.
Prof.dr. Metush Sulejmani kundërshton në mënyrë shkencore vendimin e Ministrisë
së Arsimit. Mësimi i kësaj gjuhe edhe në aspektin psiko-fizik, edhe në atë
pedagogjik-didaktik nuk do të duhet të lejohet që nga klasa e parë sepse bëhet
fjalë për një moshë tepër të re, kur ky nxënës akoma nuk e zotëron gjuhën e vet
amtare dhe jo më gjuhët e huaja, ka theksuar ligjëruesi universitar Metush
Sulejmani.

Me fillimin e gjysmë vjetorit të dytë, pritet
a do të aplikohet ose jo mësimi i gjuhës maqedonase nga filloristët shqiptarë.

NOA-INA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›