MASH u jep ok pedagogëve të Vlorës, ndërpritet bojkoti në universitet
Ka mjaftuar një takim i zv. Ministres së Arsimit Nora Malaj me Rektorin e universitetit Ismail Qemali të Vlorës Prof. Tanush Shaska dhe Prefektin e Qarkut Hasan Halili që ti jepet fund bojkotit të mësimit nga pedagogët e këtij universiteti. Zv. Ministrja Malaj ka premtuar në emër të Ministrit të Arsimit zgjidhjen e tre kërkesave të pedagogëve por për këtë ka
kërkuar kohën e mjaftueshme. Dhënia e autonomisë universitetit për të pasur vetë mundësi për të bërë gradimin shkencor të pedagogëve do të realizohet Brenda këtij muaji pasi të merren vendimet përkatëse nga MASH dhe Konferenca e Rektorëve. Shtesa e kërkuar për 13 degë të reja është në shqyrtim nga Ministria e Arsimit me sensin pozitiv për tu realizuar gjë që do të ndodhë me fillimin e vitit të ri akademik. Përsa i përket ndërtimit të një kampusi të ri kjo nuk mund të realizohet përkohësisht sepse toka ku është kërkuar të ndërtohet ky kampus është në shqyrtim nga Ministria e Bujqësisë por ndërkohë Ministria e Arsimit, Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria shqiptare kanë gjetur mirëkuptimin që universitetit Ismail Qemali të Vlorës ti vihen në dispozicion të gjitha ambientet e ish-Akademisë së Marinës që zgjidhin në një masë të madhe kërkesat për ambiente të mjaftueshme mësimdhënie për këtë universitet. Rektorati i universitetit ka rënë dakord me propozimet e zonjës Malaj dhe qysh ditën e shtunë në këtë universitet do të fillojë mësimi rregullisht. Ndërkohë mësohet se rreth mesditës një takim frytdhënës pikërisht për këto probleme ka zhvilluar edhe Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj me zv. Rektorin Eustrat Zhupa me të cilin gjithashtu kanë rënë dakord për zgjidhjen e kërkesave të pedagogëve të universitetit.V. Sako