Maqellarë, motrat e lidhura me zinxhirë kthehen në shtëpi
DIBëR- Rikthehen në banesën e tyre në Maqellarë të Dibrës dy motrat Thëllënxa dhe Fidane Keshi të cilat mbaheshin prej vitesh të lidhura me zinxhirë nga babai i tyre 60 vjecari, Dine Keshi. Motrat janë kthyer në banesë, ditët e para të janarit, pas kërkesës së bërë nga babai dhe motra më e madhe e tyre në spitalin psikiatrik të Shkodrës ku ishin hospitalizuar. Sipas drejtoreshës së këtij spitali Valdete Hoxha, fillimisht ka qënë motra më e madhe e dy grave e cila ka pyetur për gjendjen shendetësore të Thellenxës dhe Fidanes, dhe pasi ështe siguruar që gjendja e tyre është e mirë, babai ka bërë kërkesën për rikthimin e tyre në banesë dhe në baze të ligjit spitali i Shkodrës ka dhënë "Ok" për dërgimin e tyre në banesë. Ndërkohë mësohet se dy motrat nuk kanë pranuar mjekimin në banesë nga infermierja e fshatit, edhe pse nga komisariati atje pohoet që dy motrat nuk po mbahen të lidhura dhe se situata e tyre po kontrollohet cdo ditë nga inspektori i zonës, në mënyrë që të mos përsëritet dhunimi i të drejtave të njeriut që u zbulua pasi mediat filmuan në banesën e tyre dy motrat të lidhura me zinxhirë.(m.a/Nws24/BalkanWeb)