E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci” Prokuroria kërkon administrimin e provave të reja

TIRANE- Prokuroria kërkon që gjykata të administrojë prova të reja që hedhin dritë mbi tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Përfaqësuesi i organit qëndror të akuzës i konfirmon trupit gjykues se në 8 janar të këtij viti forcat e ushtrisë që punojnë ende për rehabilitimin e zonës kanë gjetur një mbetje saldatrice afër banesës thuajse të shkatërruar të një prej viktimave të tragjedisë Qemal Deliut. Prokuroria deklaron se ky është një element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e procesit dhe kërkoi që kjo të administrohet si provë në dosjen hetimore. Por trupi gjykues vlerësoi se do japë një vendim pas paraqitjes së argumentëve me shkrim nga ana e organit të akuzës. Në dosjen hetimore Prokuroria ka përmendur shpërthimin e karrocës gjatë saldimit si shkakun e shpërthimit tragjik në 15 mars të 2008. Provat e paraqitur sot mund të hedhë plotësisht dritë mbi faktin se Gërdeci ishte një aksident teknologjik. Në këtë mënyrë rrëzohen edhe pretendimet e ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu se tragjedia ishte pasojë e një sabotimi. Në seancën e sotme dëshmoi dhe ish drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec Dritan Minxholli i cili pranoi se me vetëdije kishte punësuar 18 minorenë. Minxholli tha se për këtë ishte nisur nga gjendja e vështirë e familjeve të minorenëve dhe se vetë ai kishte marrë riskun përsipër. Në seancën e sotme kanë vazhduar edhe dëshmi të reja minorenësh. Një ish punëtor i mitur Edjon Leci tha sot se ka punuar në Gërdec fillimisht në procesin e demontimit dhe më pas atë të paketimit. Ai kofirmoi faktet e përmendura dhe në dëshmitë e tjera më parë se ka patur edhe raste të tjera sporadike zjarri në fabrikë. I mituri pohoi se punonte pa asnjë kusht sigurie dhe pa kontratë pune. Në tragjedinë e rëndë të Gërdecit humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë 29 të pandehur po gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›