E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mara mbledh në Facebook miqtë e Dajtit

Rreth 415 njerëz i kanë dalë në mbrojtje njeriut që vrau katër policë dhe sulmojnë uniformat blu duke kërkuar hakmarrje

TIRANË- Ledion Mara, personi i vrarë nga Dritan Dajti gjatë operacionit të policisë, ka marrë famë "post mortum" duke u shndërruar në një ikonë për miqtë e tij në Facebook. Madje këta të fundit betohen se do të marrin hak për vrasjen e tij duke ekzekutuar policët.



Të paktën dy profile janë hapur ditët e fundit për të kujtuar një nga miqtë e Dritan Dajtit dhe në to bëjnë pjesë njerëz të ndryshëm të cilët pretendojnë se kanë njohur të ndjerin. Pjesa më e madhe e tyre janë shfaqur me pseudonime dhe dalin haptazi në mbrojtje të Dajtit dhe mikut të tij duke fajësuar policinë.



Miqtë e 23- vjeçarit Ledion Mara kanë kërcënuar këto ditë se do t'ia marrin hakun shokut të tyre. Askujt prej këtyre nuk i bën përshtypje se Mara ishte miku i njërit nga kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri dhe se ai vrau katër policë. Për më tepër Dritan Dajti vrau edhe shokun e tij Ledion Mara por kjo nuk i ka bërë aspak përshtypje miqve të tij.



Një tjetër fakt shqetësues është rritja e menjëhershme e këtyre grupeve. Në dy prej faqeve që ndodhen në rrjetin social Facebook ndodhen 415 mbështetës të Ledion Marës. Madje ata kanë bërë dhjetëra komente duke sharë policët dhe duke kërcënuar për hakmarrje. "Dritan Dajti te lumte dora Hakun Ledionit ia more, jetën e shove, bravo Dritan Dajti",- është një nga komentet më mizore të kësaj faqeje. Pas tij vijnë dhjetëra komente të tjera, të cilët harrojnë se katër të vrarët ishin punonjës shteti, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës.



Personi që ka hapur këtë faqe i ka vënë vetes një emër të koduar dhe si foto përdor një prej atyre të Ledion Marës. Sipas tij, ai ndodhet në "Anfield Road", Liverpul, Britania e Madhe.



 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›