Struktura e kampionatit, akord parimor për 16 ekipe
Struktura e Kategorisë Superiore vazhdon të jetë tema e bisedës për kampionatin. Në takimin e zhvilluar sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, 12 klubet elitare kanë rënë parimisht dakord që struktura të ndryshojë dhe kampionati të bëhet me 16 skuadra. Por, sipas sekretarit Eduard Prodani, më parë të gjitha klubet duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim, e cila do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv. Në takim janë hedhur edhe propozime nëse struktura nuk ndryshon. Duke evidentuar të metat që nxori në dukje sezoni që sapo përfundoi, drejtuesit e klubeve elitare kanë diskutuar përmirësimet e mundshme. Për shkak të tolerimeve dhe favorizimeve që u shfaqën në mënyrë të dukshme gjatë edicionit 2009-2010, mund të ndërhyhet “për të riparuar” fazën e tretë të Superiores. Nëse në të kaluarën të 12 skuadrat luanin në fazën e fundit me njëra-tjetrën, sipas propozimit të ri kjo do të shmanget. Tashmë, ekipet priten të ndahen në dy grupe: të renditurat në gjashtë vendet e para në fundin e fazës së dytë do të luajnë për titullin, ndërsa ekipet nga vendi i shtatë deri në të 12-in do të luajnë ndërmjet tyre për mbijetesë. Pas afro një jave, përfaqësuesit e klubeve elitare do të takohen sërish, për të paraqitur qëndrimet e tyre. Dje është diskutuar edhe për një çështje mjaft delikate, ajo e gjyqtarëve. Ideja për të krijuar mundësinë që një pjesë e ndeshjeve të arbitrohen nga “bilbilë” të huaj, duket shumë e vështirë të realizohet. Ndërkohë, në lidhje me “xhaketat e zeza” u diskutua që atyre t’u rriten rrogat, por edhe ndëshkimet, në rast se ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve. Penalizimi maksimal, nëse gabimet do të jenë shumë të rënda, u propozua të jetë përjashtim përjetë nga gjykimi në aktivitetet futbollistike.
#