E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona ka për të gjithëPelenë e quan një zeshkan

JOHANESBURG- Sulm direkt Pelesë dhe Guardiolës, sulm indirekt për Dungën dhe FIFA-n. është ky starti i kampionatit botëror për Diego Armando Maradonën, që sot në stadiumin e Johanesburgut do të zbresë për herë të parë në një Kupë Bote si trajner. Argjentina e tij do të përballet me Nigerinë, skuadrën ndaj të cilës i dha fund karrierës së tij në vitin 1994, në Botërorin amerikan. “Mendoj se surprizat në këtë Botëror mund të jenë Bregu i Fildishtë dhe Portugalia, që mund të nxjerrin jashtë loje Brazilin, - ishte sulmi indirekt e Diegos ndaj Karlos Dungës. – Por, Brazili është gjithnjë Brazil dhe me dy gjuajtje mund të fitojë ndeshjen”. Pra, me dy gjuajtje dhe pa një futboll të bukur, sipas tij.
Pele e Guardiola
Sulmi i parë i Maradonës ka qenë për Pelenë dhe nuk kanë qenë fjalë dosido. “Pas atentatit ndaj Togos në Kupën e Afrikës, ai ‘zeshkani’ deklaroi se Botërori nuk duhet të luhej në Afrikë, - tha trajneri i Argjentinës. – Dy ditë më pas erdha këtu në Afrikën e Jugut dhe fola me Deni Xhordan (kreun e Komitetit Organizativ), duke i thënë që do të kishte mbështetjen time për gjithçka. Ishte e drejtë që Botërori të zhvillohej në Afrikën e Jugut”, deklaroi Maradona. Më pas, ai nuk ka kursyer as trajnerin e Barcelonës Pep Guardiola. “Gjatë këtij sezoni Guardiola e kurseu shpesh Ksavin e Iniestën, ndërsa nuk e ka shplodhur kurrë Mesin. Në këtë mënyrë, spanjollët kanë ardhur të freskët në Botëror, ndërsa Mesi jo”, tha Pibe de Oro.
Nigeria
Në lidhje me Nigerinë, Maradona nuk ka dyshime të mëdha. “Ne njihemi mirë. Nigeria është një skuadër e fortë, por ne jemi të përgatitur për debutimin. Nuk kam qenë kurrë në prag të një Botërori në një skuadër që ka 23 futbollistë në superformë”, thotë trajneri i Argjentinës. Në fund, sërish falënderimi për vajzat, duke kujtuar kohën e kokainës. “Nëse sot jam këtu, ua dedikoj këtë vajzave të mia”. Pyetja e fundit ndërkohë shkakton të qeshura: “Duhet të presim surpriza?”, i thotë një gazetar. “Jo, - përgjigjet, - surpriza e vetme është nëse luaj unë”.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›