E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona, krenar për Mesin. "Milito nuk është surprizë

Trajneri i Argjentinës e konsideron veten të nderuar që stërvit “lojtarin më të mirë në botë”

Maradona niset drejt Afrikës së Jugut me synime triumfaliste dhe dëshirë për të përsëritur ’86, elozhe për të gjithë lojtarët dhe për Mesin në veçanti, pa lënë mënjanë një kampion të freskët të Europës, Militon. Nuk ka ende në dispozicion të gjithë të grumbulluarit (Samuel, Milito e Demikelis kanë mbërritur në Argjentinë vetëm sot në mëngjes), por garanton se “në Afrikë shkon një Maradona pozitiv në maksimum, duke ditur se një Botëror fitohet në detaje dhe duke qenë i gatshëm për gjithçka”. “Diferenca mes kësaj skuadre dhe asaj të 1986 është vetëm ajo që mbetet për t’u demonstruar dhe kjo ka uri për lavdi”, ka thënë Maradona. “Në ’86 bëmë 70 ditë fazë përgatitore, ndërsa tani, vetëm dy javë para Botërorit, ende nuk i kam të gjithë lojtarët”. Si një zot, të cilit besimtarët i kërkojnë mrekullinë, Maradona e di që është thirrur në mision të përsërisë bëmat e 24 viteve më parë, por nuk dëshiron të flitet për presion. “Nuk ndiej asnjë presion dhe nuk dua që ta ndiejnë lojtarët e mi. Presionin e ndien ai, që zgjohet në mëngjes dhe shqetësohet se si të fitojë ca para për të ngrënë. Këtu maksimumi ka përgjegjësi dhe këtë e ndiejmë në mënyrë perfekte”. “Nuk e di se çfarë mendojnë njerëzit për Mesin, për ta ditur do të duhet të bredh rrugëve duke pyetur. Unë di vetëm se çfarë mendoj unë për të”, iu përgjigj Maradona një gazetari të huaj. “Mesi është më i miri në botë, jam krenar që është argjentinas dhe ndihem me fat që e stërvit, kjo është e vetmja gjë që mund të them”, ka shtuar ai. Dy ditë më parë kishte deklaruar se “të shikosh Mesin të luajë, të lëngëzon goja”. Maradona flet edhe për Murinjon dhe arritjet e Interit. “E respektoj dhe e admiroj Murinjon, por kundër Barcelonas në gjysmëfinale Interi u mbrojt shumë, gjykon Maradona në lidhje me ndeshjen e Kamp Nout për Champions, edhe pse kishte në dispozicion lojtarë të përshtatshëm për një lojë sulmuese dhe të aftë për të goditur në kundërsulm. Por në fund ka arritur një rezultat të madh dhe nëse kush fiton nuk gjykohet”. Disa fjalë edhe për heroin internist, Diego Milito. “Bëri dy gola të bukur. Ishte më i miri në fushë. Jam i lumtur për dopjetën e tij me Interin, e ka merituar”, tha ai. Por dopjeta e ka ndihmuar të ngjitet në hierarkinë e preferencave. “Milito nuk më ka surprizuar, ka bërë një sezon të mrekullueshëm, njëlloj si Tevez, Mesi e Higuain. Nuk jam i shqetësuar, këtu nuk ka titullarë apo rezerva, të gjitha do të jenë të gatshëm për të zbritur në fushë. Të gjithë lojtarët prezentë meritojnë të veshin bluzën e Argjentinës”, përfundon ai.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›