Mou: Te Reali për të rifituar Champions
Murinjo-Real, gjithçka është thuajse gati. Menaxheri i trajnerit portugez, Horge Mendez, është takuar në Madrid me drejtuesit e klubit “merengue” për të diskutuar rreth detajeve të kontratës. Ndërkohë, përpara se të përshëndetej me presidentin e Interit, Masimo Morati, Zhoze është shprehur i bindur se karriera e tij do të vazhdojë në La Liga. “Natyrisht që jam i aftë ta fitoj Champions-in me Realin”, deklaroi tekniku për gazetën “Marca”. Objektivi i Mou janë vetëm trofetë dhe rreth sezonit të dështuar të “galaktikëve” ai nënvijëzoi: “Kristiano Ronaldo nuk është i lumtur, sepse nuk fitoi asnjë titull”. “Speciali” jo vetëm që kërkon majën e Europës edhe në Madrid, por synon të vendosë një rekord: “Dua të bëhem trajneri i parë që fiton ‘Grand Slam’-in në tri kampionatet më të rëndësishme në botë: Angli, Itali dhe Spanjë”. Festa për fitoren kundër Bajernit përfundoi. Pasi ka realizuar sezonin perfekt me Interin, tashmë Murinjo shikon përpara. Ai mendon dhe flet si madrilen: “është një sfidë e madhe që të shkurorëzosh Barcelonën, një superskuadër që grumbulloi 100 pikë, duke u shpallur kampione në La Liga dhe të tentosh të triumfosh në Champions”, ishte një tjetër deklaratë, e bërë për televizionin portugez, “Tvi”. Pyetjes së gazetarit se çfarë nevojitej për të firmosur në Madrid, trajneri iu përgjigj: “Më parë duhet të takohem me disa persona, me të cilët nuk kam biseduar ende. Kam folur me menaxherin tim, Mendes, dhe gjithçka thuajse ka përfunduar, por vendimi final më takon mua. Dua të shoh se çfarë më ofrojnë te Reali, për ta filluar punën pa frikë. Gjithsesi, besoj se do të gjejmë akordin”. Më tej, ai konfirmoi: “Finalja e Champions-it në Madrid ishte ndeshja ime e fundit me Interin. E kisha shumë të vështirë të përshëndetesha me lojtarët. Morati nuk më tha asgjë: ai më përqafoi fort dhe kjo vlente më tepër se njëmijë fjalë. Por, tashmë e kam të qartë se ‘Bernabeu’ do të jetë shtëpia ime për disa kohë”.
Në Madrid, Murinjo do të ketë në dispozicion 110 milionë euro për merkaton, për ta rindërtuar Realin sipas ideve të tij. Lista e dëshirave të trajnerit është e gjatë: Didië Drogba, Fernando Torres, Uejn Runi, Robin van Persi, Emanuel Adebajor, Frenk Lampard, Stiven Xherard, Daniele De Rosi, Mikael Esien apo Petr çeh janë disa prej objektivave.
#