Maradona kritikon Boca Juniorsin

Diego Maradona beson se ai duhet të jetë trajner i ri i Boca Juniorsit dhe kritikoi klubin që është në prag të emërimit të Julio Cesar Palcionit. Përfaqësuesi i Falcionit, Sergio Greco ka thënë të shtunën se klienti i tij është larguar nga posti i tij i trajnerit në Banfield dhe ishte i gatshëm të marrë drejtimin e Bocas pas fillimit të kampionatit në fillim të vitit të ri.
Maradona 50 vjeç është i papunë prej kur u largua nga posti i selektorit të Argjentinës, pas Kampionatit botëror 2010. Prej atëherë, ai bëri fushatë të pasuksesshme për rikthim në ekipin e Kombëtares ose në ndonjë klub.
“U them njerëzve në Boca se një ditë do të jem në bankinë”, tha Maradona për gazetën Clarin. Maradona shtoi se ishte i tradhtuar nga Boca Juniors, klub që i ndihmoi atij të bëhet i famshëm. Ai e përqeshi Falcionin duke thënë se ishte “vetëm një portier” dhe kritikoi presidentin e Boca Juniorsit, Jorge Amor Ameal për konsiderimin e Falcionit.
Në korrik, Maradonës iu ofrua një kontratë e re për të mbetur në postin e selektorit të Argjentinës, por marrëveshja nënkuptonte largimin e disa anëtarëve të stafit teknik të tij. Ai refuzoi dhe u shkarkua. Disa muaj më vonë ai tha se do të konsideronte kompromisin, por Federata e Futbollit të Argjentinës emëroi Sergio Batistën si selektor të ri.