E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maragos: Statusi kandidat, objektiv madhor i qeverisë

24-07-2012 / Gazeta 55

Ministri i Jashtëm takon shefin e njësisë për Shqipërinë në KE
 
“Vazhdimi i reformave për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri janë shumë të rëndësishme edhe në perspektivën e marrëdhënieve Shqipëri-BE”. Kështu është shprehur Vasilis Maragos, shefi i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit pranë Komisionit Evropian, gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti. Gjatë takimit, Ministri Panariti theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat, dhe në tërësi, procesi i integrimit evropian, janë objektivat më madhorë të qeverisë shqiptare, dhe në këtë kuadër shprehu besimin se vendi do të arrijë të kualifikohet si kandidat në BE brenda vjeshtës së këtij viti. Ministri vuri në dukje përpjekjet që vijojnë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, dhe shprehu bindjen se brenda kohës në dispozicion do të arrihet masa kritike e progresit, që do të bindë Komisionin dhe vendet anëtare se Shqipëria meriton të ecë përpara në rrugëtimin e saj evropian.
Z. Maragos vlerësoi përpjekjet e bëra deri tani nga pala shqiptare, dhe theksoi se vazhdimi i reformave për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri janë shumë të rëndësishme edhe në perspektivën e marrëdhënieve Shqipëri-BE. Ai siguroi se Komisioni Evropian do të ofrojë të gjithë asistencën e duhur për të përmbushur në kohë angazhimet e marra nga pala shqiptare.
Në fund, Ministri Panariti përcolli vlerësimin për bashkëpunimin e shkëlqyer që është vendosur mes autoriteteve shqiptare dhe Komisionit Evropian, dhe me këtë rast siguroi se institucionet shqiptare do të vazhdojnë të jenë plotësisht të hapura, bashkëpunuese dhe partnerë të besueshëm me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare, me qëllim përmbushjen e aspiratës së madhe të shqiptarëve për anëtarësim në BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›