Ilir Meta: Opozita të votojë heqjen e imunitetit më 6 gusht
Kreu i LSI i apelon klasës politike
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bëri thirrje dje opozitës të shprehë votën “pro” heqjes së imunitetit në 6 gusht. Kreu i LSI-së ftoi PS-në të bëhet pjesë e maksimalizimit të marrjes së statusit të vendit kandidat. Ai theksoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më shpejt.
“Janë të gjitha mundësitë që në datën 6 të realizohet ky votim dhe të plotësohet një kërkesë e kahershme, por sidomos së fundmi e theksuar fuqishëm edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe që do të maksimalizonte të gjitha shanset e vendit për të marrë statusin e vendit kandidat. Janë të gjitha mundësitë. Është e gjithë koha për këtë gjë. Ju po e ndjeni çdo ditë që ky proces po vazhdon edhe me grupet e interesit dhe nuk shikoj asnjë arsye për t’u vonuar më tej. Për ne është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje dhe natyrisht që propozimet tona kanë synuar në radhë të parë për ta shtyrë procesin përpara. Kjo është kryesorja”, u shpreh Meta.
Sa i takon pretendimeve të PS për shtyrjen e imunitetit për në shtator, Meta tha se gjithçka duhet të orientohet në funksion të 6 gushtit, ndërsa ftoi opozitën të jetë më bashkëpunuese.
“Mendoj se është plotësisht e mundur që gjithçka të realizohet deri në 6 gusht. Data natyrisht nuk është ajo më e rëndësishmja, por edhe datat kanë rëndësinë e tyre, sidomos në raport me një proces, i cili absolutisht kërkon një progres më të shpejtë, më të dukshëm dhe më të matshëm. 6 gushti do të ndihmonte shumë për të maksimalizuar shanset e vendit për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë shpresoj që opozita të jetë më bashkëpunuese dhe të gjithë përmes një bashkëpunimi më të ngushtë të realizojmë këtë objektiv, që në parim duket që është i përbashkët”, tha ai.
Kreu i LSI-së i bëri këto deklarata pas një tryeze për arsimin, organizuar nga LRI, ku janë shprehur disa ide të reja për përmirësimin e Maturës shtetërore.