E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratona arkeologjike

Dy konferenca arkeologjike, të quajtura Maratona arkeologjike në kuadrin e Muajit të Europës, mbahen sot nga prof. Sara Santoro Bianchi. Profesoresha e Historisë së Artit Grek dhe Romak në Universitetin Gabriele DAnnunzio Chieti Pescara, është njëherësh drejtuese e misionit italian arkeologjik në Durrës ia kushton të dyja konferencat Durrësit.

Konferenca e parë zhvillohet pranë Qendrës së Informacionit të Delegacionit Europian dhe i drejtohet një audience me nxënës shkollash. Konferenca e dytë, Arkeologjia e qytetit, arkeologjia për qytetin: rasti i Durrësit në kuadër të mbrojtjes evropiane të qyteteve të vjetra mesdhetare dhe vazhdimësia e jetës mbahet pasdite.

Në fjalën e saj Prof. Santoro Bianchi përqendrohet edhe në zhvillimet e fundit të arsimit universitar në fushën e menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe organizimin e turizmit kulturor.

Aktiviteti përmbyllet me dy projektime (ora 12.00 dhe ora 19.00) të dokumentarit Shqipëria: historia e zhytur. Nga projekti Liburna te mbetjet e anijes spital PO. Përmes rezultateve të hulumtimeve nënujore të kryera në Shqipëri, puna zbulon aspekte të historisë së lashtë si dhe ndodhitë e fundit në vend.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›