E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Maratona e shëndetit” shpall fituesit

"Kujdesi për shëndetin tuaj" ka qenë motoja e maratonës së vrapit e organizuar për herë të parë dje në kryeqytet. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor nën mbështetjen financiare të Taci Oil, Lipton Ice Tea dhe kompanisë Theatre internacional kanë qenë frymëzuesit e kësaj veprimtarie premierë në llojin e vet. Rreth 750 të apasionuar të këtij sporti nga grupmosha të ndryshme si nxënësit e shkollave, qendrat e punës dhe të moshuar i janë bashkuar iniciativës për një shëndet më të mirë. Pikënisja e vrapimit ishte Sheshi "Skënderbej" dhe mbërritja në Sheshin "Nënë Tereza". Në kategorinë e të rriturve Alban Stafa e preu i pari vijën e finishit dhe pas tij erdhën përfaqësuesi i ambasadës amerikane Patrik Leonard dhe ai i KFOR-it Keith Kadlek. Age Kolprecaj, Lumturie Dajko dhe Eliana Leonard ishte treshja e femrave për të rritura nga të gjitha konkurueset që u ngjitën në podiumin e fituesve. Nga meshkujt për të rinj në vend të parë u rendit Elios Arapi dhe për femra Franceska Peti. Genc Lugja dhe Lumturie Makola ishin fituesit e komunitetit të veteranëve. Në përfundim të maratonës për fituesit u shpërndanë edhe dhurata. Sipas drejtuesve të maratonës, synimi i ISKSH-së është që ky aktivitet të bëhet i përvitshëm.
O.S

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›