Ylli Tomorri: “Rivalë, harrojeni titullin tonë!”

Sezon absolut për Studentin në volejboll për meshkuj. Fillimisht Kupa e Shqipërisë dhe tani titulli kampion, i cili vjen për të tetën herë në historinë e tij. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri pas suksesit të vjetshëm triumfoi sërish në mesjavë në pallatin e sportit "Asllan Rusi" përballë Tiranës. Një pjesë e titullit i takon edhe kreut të pankinës së Studentit, Ylli Tomorri i cili e përkufizon këtë trofe si më të bukurin e marrë në këto vite. "E them me shumë bindje se ka qenë trofeu më i bukur që mund të kemi marrë deri tani. Sivjet kemi qenë një skuadër shumë e re dhe me shumë kualitete. Ishte një sezon me shumë rivalitet. Të mos harrojmë se për herë të parë kemi humbur tre ndeshje dhe në fund të kampionatit u renditëm të tretët. Megjithatë në finalet e play off-it dhamë maksimumin duke i mposhtur kundërshtarët madje edhe me rezultat të pastër 3-0", deklaroi për ‘Panorama Sport', tekniku kryeqytetas i Studentit Ylli Tomorri vetëm pak ditë pasi u shpall kampion. Por rruga për të arritur deri te ky trofe ka patur edhe një celës të cilin e zbulon vetë trajneri Tomorri. "Deri këtu nuk kemi ardhur rastësisht. Përkundrazi. Celsi i këtij trofeu ka qenë puna sistematike që kemi patur mbi të tjerët, angazhimi maksimal, frekuentimi total. Gjithashtu edhe disiplina shembullore që kanë shfaqur volejbollistët tanë. Ndoshta të gjithë këta komponentë që kemi patur ne mund t'i mos i kenë rivalët tanë. Gjatë gjithë sezonit treguam që jemi skuadër kompetitive, por edhe shumë e re në moshë. Vlen të përmendim dy përforcimet nga Kosova dhe malazezin Kazic, të cilët nuk ishin më shumë se 20-21 vjec. Dhe këta elementë shumë cilësorë iu atashuan bërthamës titullare të Studentit, e cila në fund u shpall kampion dhe që e meritonte të kurorëzohej. Me pak fjalë më vjen shumë mirë që e fituam kampionatin", nënvizon numri një i kampionëve, i cili shkoi më tej duke thënë se edhe pas këtij sezoni ekipet e tjera nuk kanë për ta ndalur marshin e triumfatorit të Studentit. "Jam shumë i sigurt se skuadrat e tjera do ta kenë shumë të vështirë të na i heqin nga duart këtë trofe. Dhe nëse do të tentonin ta bënin këtë gjë atyre u duhet të bëjnë dyfishin e përkushtimit tonë, gjë që vështirë se mund të ndodhë". Tashmë Ylli Tomorri ka lënë pas Studentin dhe po mendon për ekipin kombëtar, në krye të cilit është edhe ai vetë së bashku me trajnerin Ilo Koja. Kuqezinjtë po përgatiten për eliminatoret e kampionatit europian. Ata do të përballen me Azerbajxhanin në Durrës më 8 maj dhe në Baku më 11 maj. "Në kombëtare do të afrohen lojtarët që janë profesionistë dhe që kanë normën më të mirë sportive. Dhe nuk do të përzgjidhen nga emrat apo se me cilën skuadër luajnë. Ndërkohë jemi shumë ambiciozë se do të kualifikohemi pavarësisht se do të kemi përballë një rival të shkollës ish-sovjetike", përfundoi Tomorri.
Olgert Serani (Panorama Sport)